Shqipëria

Kryemadhi kallëzon në SPAK ministren e Financave


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi ka kallëzuar në SPAK ministren e Financave, Delina Ibrahimaj.

Kjo, për implikimin e drejtpërdrejtë në “aferën e inceneratorëve”.

Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesja e LSI-së, gjatë konferencës për media.

“Ndaj, sot me shtesën e kallëzimit, i kam kërkuar SPAK-ut të hetojë edhe Ministren e Financave, ish Drejtoreshën e Tatimeve, zonjën Ibrahimaj, për implikimin e saj të drejtpërdrejtë me aferën e inceneratorëve, pasi me veprimet dhe mosveprimet e saj ka ndikuar në mos hetimin e plotë të këtyre krimeve financiare nga administrata tatimore që ajo ka drejtuar në vitin 2018”, theksoi Kryemadhi.

Sipas saj, zbardhja e “aferës së inceneratorëve” nuk është betejë politike për LSI-në, por është ajo që meriton çdo qytetar i republikës.

Ibrahimaj

Ibrahimaj deklaroi të mërkurën e 6 korrikut se 20 subjekte fiktive janë dënuar, por se dosja po përdoret në mënyrë abuzive me qëllime politike nga opozita.

“Zhurma e madhe e ditëve të fundit, e krijuar në kuadër të një lufte, në vigjilje të një proteste të lajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar. Asgjë nga faktet e nxjerra ditët e fundit nuk është e re”, do të shprehej zyrtarja në nisje të konferencës.

Sipas saj, të gjitha faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrata Tatimore.

Kështu ministrja bëri me dije se, duke filluar që nga viti 2018, janë 34 subjekte të cilat janë referuar nga hetimi tatimor ku kanë qenë të përfshira 141 subjekte.

Një pjesë e këtyre procedurave kanë përfunduar me një vendim gjykatë dhe një pjesë janë ende nën hetim.

“Për rastin konkret 20 subjektet fiktive janë dënuar me 35 vite. Ndër vite që nga 2018 dhe sot, administrata tatimore ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, për të vijuar hetimin”, shtoi ministrja.

Ajo ka cekur edhe akuzat për inceneratorët, për të cilat tha se janë në proces hetimi.

“Sa u përket punimeve të inceneratorit, ne jemi përgjegjës jo vetëm për koncesionet, por edhe për të ndjekur ecurinë e kontratave koncesionare, sa i përket Tiranës, ai është në fazën e operimit dhe ndërtimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore