Kryeinspektori ilegal
Hekuran Nikçi
Valon Rashiti
24.09.2024 13:42Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, i emëruar në këtë pozitë nga Qeveria e Kosovës, qe dy vjet është duke e ushtruar detyrën e Kryeinspektorit në mënyrë të kundërligjshme, meqë nuk ishte shpallur fare konkursi publik i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtarët Publik.
Megjithatë, ai vazhdon ta mbajë këtë pozitë edhe pse në një aktgjykim të Gjykatës së Apelit është konfirmuar vendimi fillestar i Themelores që konstaton se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte të drejtë kur nxori vendimin se emërimi i tij ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktgjykimin e datës 9 shtator të cilin e posedon Albanian Post, Apeli ka rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me të cilën kontestonte vendimin KPMShCK-së për shkeljen në emërimin e Kryeinspektorit të Punës.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1892\2022, të datës 14.04.2023, është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50\2022”, thuhet në aktgjykim.
Madje aty theksohet se në një afat prej 15 ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nga dita pranimit të aktgjykimit duhet ta anulojnë vendimin për emërimin e Nikçit si Kryeinspektor i Punës.
“KPMSHCK duhet të njoftohet me shkrim për veprimet e ndërmarra. Nga raporti i monitorimit të jashtëzakonshëm në MFPT datë 14.07.2022 konstatohet rekomandimi: me qëllim të kthimit të legjitimitetit rekomandojmë Kryeministrin e Republikës së Kosovës që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e vendimit”, thuhet në aktgjykim.
Paraprakisht, gjatë muajit prill të këtij viti edhe Gjykata Themelore kishte vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar padia e Ministrisë së Financave, ku kërkohej të anulohet vendimi i KPMShCK-së për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, thuhej në aktgjykimin e Themelores.
Dy vite më parë, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e kishte emëruar Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçin. Por, KPMShCK kishte konstatuar se emërimi është bërë kundërligjshëm.
Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Ndërkaq Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikqi, ka thënë për Albanian Post se nuk e ka pranuar ende zyrtarisht aktgjykimin e Apelit dhe të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
“Unë vazhdoj të mbes në pozitë përderisa vendimi për emërimin tim është në fuqi. Nuk kam pranuar asnjë vendim të gjykatave për këtë rast që e përmendni, nuk i kam pranuar zyrtarisht në zyrë asnjëherë”, tha ai për AP.
Për këtë çështje, Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave Punës dhe Transfereve duke i pyetur se pse nuk po e zbatojnë aktgjykimin e Apelit, por nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Ministria që udhëhiqet nga Hekuran Murati është kritikuar për mostransaprencë nga nisma “CorrËatch” e cila ka shprehur shqetësimin për siç u tha, mbylljen dhe mungesën e transparencës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për procesin e rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.
AP pati raportuar gjatë muajit korrik të këtij viti se për këtë pozitë garës i ka hyrë Kryesuesi i Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Mentor Hyseni.
Hyseni, përveç që ish-kandidat për deputet nga radhët e LVV-së, është e njohur edhe afërsia e tij me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi.
Ndryshe, pas raportimeve të AP, ishin anuluar dy konkurse në Ministrinë e Industrisë dhe Nderrmarsisë gjatë muajit të kaluar.
Më 26 gusht u anulua konkursi për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, apo Kryeshefit në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, agjenci shtetërore kjo nën MINT.
Në garën kryesore ishte përzgjedhur Irfan Lipovica i cili ishte nën hetime dhe ishte arrestuar për rastin e keqpërdorimit me rezerva shtetërore.
Më pas u anulua edhe konkursi i kundërligjshëm i MINT për drejtor të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja. Kjo agjenci parashihet të kalojë në kuadër të Qeverisë e ku i kishte hyrë garës për drejtor Zef Dedaj.