Bota

Kryediplomati amerikan kërcënon Turqinë me sanksione


Pa marrë ende detyrën zyrtarisht, i zgjedhuri i presidentit amerikan, Joe Biden, për postin e Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, ka akuzuar Turqinë se nuk është sjellë si aleate e Washington-it, duke kërcënuar se do të vendosë sanksione të tjera ndaj Ankarasë.

Blerja e sistemit ajror rus të mbrojtjes, S-400, ka shtyrë Blinken-in të bëjë këto deklarata. “Ideja se një aleat si Turqia është në një linjë me rivalët tanë strategjikë rusë, është e papranueshme”, theksoi Blinken.

“Mendoj se fillimisht duhet të shohim impaktin që kanë sanksionet e tanishme”, shtoi ai. “Më pas, do të përcaktojmë nëse duhet t’i shtojmë ato”.

Këto komente vijnë një ditë përpara marrjes zyrtarisht të detyrës nga presidenti i zgjedhur në SHBA, Joe Biden.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, dënoi deklarat e Blinken-it. “Vendosja e SHBA-së kundër marrëveshjeve tona me vende të tjera është e padrejtë”, tha Cavusoglu.

Muajin e shkuar, SHBA-ja i vendosi sanksione Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes në Turqi (SSB). Drejtuesi, Ismail Demir, dhe tre oficerë të lartë, u penalizuan për blerjen e sistemit rus. Sanksionet kishin për qëllim të ulnin raportet ushtarake midis Rusisë dhe Turqisë.

Huatë dhe ndihmat ndaj SSB-së u pakësuan ndjeshëm. Pavarësisht kësaj, nuk shihet një impakt i madh në politikat ushtarake të Turqisë.

Këto replika në distancë vijnë në një kohë delikate për raportet SHBA-Turqi. Biden-i ka deklaruar në gusht të 2020-ës se do t’i pëlqente një ndryshim i regjimit në Turqi.

Nga ana tjetër, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka bazuar gjithë diplomacinë e Turqisë kundrejt Rusisë dhe SHBA-së, në raportet personale që ai ka me Vladimir Putin-in dhe Donald Trump-in. Mbetet për t’u parë çfarë raporti do të vendosë me presidentin e ri, Biden./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore