Lajme

Kryebashkiaku japonez pendohet për kafshimin e medaljes së artë


Një kryebashkiak japonez ka kërkuar falje të enjten e 12 gushtit.

E pse? Se kishte kafshuar medaljen e artë olimpike të një lojtareje softball-i, e cila kishte bërë një vizitë mirësjelljeje pasi Japonia mundi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në finale.

Takashi Kawamura, kryebashkiaku i Nagoya-s, kishte lavdëruar lojtaren, Miu Goto, gjatë vizitës së 4 gushtit, por sytë e tij ishin të ngulitur te medalja.

Kështu, i kërkoi që ta vinte në qafë. E pastaj, Kawamura hoqi maskën e fytyrës dhe e kafshoi atë.

“Më vjen shumë keq që kam lënduar thesarin e medalistes së artë”, u ka thënë Kawamura gazetarëve.

Edhe pse kryebashkiaku pohoi se medalja mbeti e padëmtuar, ai është ofruar të paguajë për koston e një medaljeje të re.

Referuar raporteve të mediave japoneze, Goto ka pranuar ofertën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për një zëvendësim të medaljes.

Agjencia e lajmeve, “Associated Press”, shkruan se kafshimi i medaljes është bërë një element kryesor i fotografive olimpike. Kjo jo për vetë fituesit, por për të tjerët.

Dhe se skena e transmetuar në televizion ka nxitur mijëra ankesa në bashkinë e qytetit. Madje, disa olimpikë kanë thënë se medaljet e tyre i trajtojnë si thesare dhe se ishte skandaloze që Kawamura të kafshonte një të tillë.

“Unë do të qaja nëse më ndodhte mua”, ka thënë Naohisa Takato, e cila fitoi medaljen e artë për Japoninë në xhudo.

Ajo ka shtuar në një tweet të saj se “unë merrem me medaljen time të artë me aq butësi sa për të mos e gërvishtur atë”.

Ndërsa një fitues i medaljes së argjendtë, Yuki Ota, është shprehur se veprimi i kryebashkiakut ishte mosrespektues ndaj atletëve dhe ishte një ide e keqe për masat kundër COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore