Shqipëria

Kruja, në qendër të investimeve evropiane


Në kuadër të “Javës së Evropës” ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca vizitoi qytetin e Krujës.

Ai bashkë me stafin e tij ndaloi në gjimnazin “Skënderbeu”, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit në 2019-ën.

Kjo shkollë po rikonstruktohet nga fondet e BE-së të miratuara në marrëveshjen e veprimit “EU4schools”.

Me këtë marrëveshje prej 15 milionë eurosh, BE-ja synon të mbështesë ofruesit e shërbimeve lokale të arsimit, studentët, mësuesit dhe komunitetet, duke ndihmuar në riparimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përmes një procesi transparent, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.

Në fjalimin e tij Soreca bëri me dije se është shumë i lumtur që progresi po vijon dhe njoftoi që shkolla do të jetë gati për vitin e ri shkollor.

“Kjo shkollë më fal krenari sepse po shikoj punën që ka realizuar BE-ja”, tha ai gjatë fjalimit të tij.

Por shkolla nuk është objekti i vetëm në Krujë që po rikonstruktohet, Muzeu Etnografik po kalon në të njëjtën fazë.

Ambasadori i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti vizituan Muzeun Etnografik të Krujës, i cili është një nga sitet që do të restaurohet nga projekti “EU4Culture” financuar nga Bashkimi Evropian.

E pranishme në takim ishte dhe drejtuesja e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit, Pamela Lama, e cila theksoi se qëllimi i programit nuk është vetëm restaurimi i siteve të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti.

Sipas saj, qëllimi i projektit është rivitalizimi i zonës, çlirimi i potencialit të lartë dhe vlerës që trashëgimia kulturore mund të sjellë në drejtim të rritjes ekonomike, mundësive të biznesit dhe në shoqëri në tërësi.

Nga ana tjetër, ministrja theksoi se falë mbështetjes së BE-së muzeu do të restaurohet dhe rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e evropiane.

Më herët ambasadori njoftoi dhe për kontratë prej 5.5 milionë eurosh, e cila ka si qëllim shkëmbimin skolastik në Ballkanin Perëndimor

“Plani i fundit i investimit ekonomik ka parë krijimin e një garancie për rininë. Ky është një asistim financiar, i cili do të lejojë të rinjtë shqiptarë të tranzitojnë nga shkolla drejt tregut të punës. Sigurisht, Erasmus është ndër programet më popullore”, tha Soreca.

Gjithashtu, ai theksoi se janë zgjedhur të rinjtë, sepse ata janë qytetarët e ardhshëm të Shqipërisë dhe të BE-së.

Soreca tha gjithashtu se ka krijuar institucionin e Ambasadorëve Evropian të Rinisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore