Lajme

Krizë energjetike dhe përmbytje në Kinë – çmimi i qymyrit në shifra të larta


Fabrikë e përpunimit të qymyrit në Hejin në Provincën Shanxi të Kinës qendrore.

Çmimi i burimit kryesor të energjisë në Kinë u rrit në nivele rekord, pasi dhjetëra miniera u mbyllën dhe më shumë se 100 mijё njerëz mbetën të papunë.

Përballë një krize globale të energjisë, rregullatori kryesor i bankave dhe i sigurimeve në Kinë u zotua të forcojë mbështetjen financiare për prodhimin e qymyrit.

Qymyri, i tregtuar në Bursën e Mallrave Zhengzhou, u rrit me 11.6%, për t’u mbyllur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 218.74 dollarë për tonë të hënën.

Indeksi i Qymyrit (CSI) i minatorëve të mëdhenj në Shanghai dhe Shenzhen u rrit me 3.7%, duke përmbysur pjesërisht humbjet e javës së kaluar.

Mirëpo, përmbytjet e javës së shkuar, në provincën qendrore të Shanxi-t, shkaktuan presion të mëtejshëm mbi Pekinin, për të neutralizuar krizën energjetike, që kërcënon të minojë rimëkëmbjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Komisioni Rregullator i Bankave dhe Sigurimeve i Kinës nxori një qarkore për të përmbushur nevojat e duhura të financimit të prodhuesve të energjisë, qymyrit, çelikut dhe metaleve me ngjyrë, për të siguruar furnizimin dhe për të stabilizuar çmimet.

Dokumenti u kërkon bankave dhe institucioneve të sigurimeve të ofrojnë shërbime të shëndetshme financiare, për të garantuar furnizimin me energji për dimrin e pranverën.

Po ashtu, të mbështesin në mënyrë aktive zonat dhe ndërmarrjet kryesore të prodhimit të qymyrit, për të rritur furnizimin me qymyr termik.

Panorama e krizës energjetike në Kinë

Shumica e qymyrit të brendshëm të Kinës vjen nga Shanxi, provinca fqinje Shanxi dhe rajoni i Mongolisë së Brendshme.

Faktorë të tjerë lokalë, përfshirë një fushatë kundër korrupsionit në industrinë e qymyrit dhe mbylljen e minierave për të zvogëluar ndotjen e ajrit, kanë çuar në racionimin e energjisë për përdoruesit industrialë dhe, në disa raste, edhe për banorët.

Përmbytjet në Shanxi zhvendosën rreth 120 mijё njerëz, detyruan mbylljen e 60 minierave të qymyrit dhe dëmtuan më shumë se 190 mijё hektarë të lashtat, sipas shifrave të publikuara nga qeveria provinciale.

Ngjarje të tjera ekstreme të motit kanë kontribuar gjithashtu në krizën e energjisë së Kinës. Moti i papritur i thatë në jug të Kinës ka penguar prodhimin e hidrocentraleve.

Mungesat e energjisë, të cilat kanë tensionuar zinxhirët global të furnizimit, gjithashtu mund t’i atribuohen një konfuzioni më të gjerë të politikave, ndërsa Kina përpiqet të përmbushë qëllimet ambicioze të energjisë së gjelbër.

Çmimet e larta të qymyrit ndërkombëtar e vendas dhe kufizimet e rrepta e kanë bërë financiarisht të paarritshme funksionimin e shumë termocentraleve me qymyr.

Megjithatë, javën e kaluar, këshilli shtetëror dhe kabineti kinez thanë se do të lejojë që çmimet të rriten deri në 20%, duke rrezikuar kufirin e mëparshëm prej 10%.

Pekini urdhëroi gjithashtu minatorët të rrisin prodhimin në mënyrë dramatike.

Analistët thanë se, ndikimi i destabilizimit të tregjeve të energjisë në Kinë mund të përhapet përtej çmimeve globale të energjisë.

Ata paralajmëruan se mungesat e zgjatura të energjisë në Kinë mund të shkurtojnë prodhimin e fabrikës, çka “mund të prishë zinxhirët e furnizimit në të gjithë Azinë-Paqësorin, duke pasur parasysh lidhjet mbizotëruese, të cilat po ashtu do të rrisin çmimet përgjatë zinxhirit”.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore