Lajme

Kriza e Qeverisë bullgare hap rrugën për të djathtën e fortë pro-ruse


Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, mbajti një qëndrim të ashpër kundër Rusisë që nga fillimi i pushtimit të saj në Ukrainë, duke deklaruar se Bullgaria “nuk do të heshtë, kur sheh diçka kaq të dukshme me të cilën nuk pajtohet”.

Petkov shkarkoi ministrin e tij të Mbrojtjes, Stefan Yanev, sepse e përshkroi konfliktin si një “operacion special” – formulimi i Kremlinit – në vend që të përdorte fjalën “luftë”.

Por, tani është Petkov ai që mund të largohet pasi koalicioni i tij humbi shumicën javën e kaluar për një “grindje” rreth mbështetjes për zgjerimin e BE-së, ndërsa Yanev është gati për një rikthim.

Nëse Qeveria bie, Bullgaria, tradicionalisht miku më i ngushtë i Moskës në BE, ndoshta do të shkojë drejt zgjedhjeve të katërta brenda pak më shumë se një viti.

“Kjo Qeveri ndoshta nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë”, tha Hristo Ivanov, kreu i partisë së vogël anëtare të koalicionit liberal Da Bulgaria, për “Financial Times”.

Kriza e fundit politike në Sofje u shkaktua kur Slavi Trifonov, një këngëtar i folk-rokut i kthyer në politikan populist, tërhoqi partinë e tij “Ka një popull të tillë” (ITN) nga koalicioni javën e kaluar.

Trifonov e bëri këtë veprim në shenjë proteste ndaj planeve të kryeministrit për të hequr veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Rezultati i kësaj krize të fundit – me largimin e Petkov-it, një liberal pro-perëndimor i arsimuar në Harvard, paqëndrueshmëri të mëtejshme politike në Bullgari dhe një bllokim të vazhdueshëm të zgjerimit të BE-së, duke e lënë Ballkanin Perëndimor në harresë – do t’i përshtatej Moskës.

Ilian Vassilev, një ish-ambasador bullgar në Rusi, tha se tërheqja e ITN-së nga koalicioni u shërbente interesave ruse dhe tregoi se Moska ishte ende në gjendje të projektonte fuqinë në vendin ballkanik, një dekadë e gjysmë pasi u bashkua me NATO-n dhe BE-në.

Petkov mori detyrën në dhjetor pas një krize të gjatë politike dhe dy zgjedhjeve jopërfundimtare, duke premtuar një kurs pro-perëndimor për vendin e tij dhe zero tolerancë për korrupsionin në vendin më të varfër të BE-së.

Kur trupat e Putin-it u derdhën në Ukrainë, Petkov sfidoi Moskën duke refuzuar të paguante në rubla për importet e gazit dhe tha se nuk do të rinovonte një kontratë afatgjatë të importit me Gazprom me vlerë 2 miliardë dollarë në vit, pasi të skadonte në fund të vitit.

Si përgjigje, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në prill.

Qeveria dëboi një duzinë prej mbi 120 diplomatëve rusë dhe javën e kaluar mohoi fluturimin drejt Serbisë për aeroplanin e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Bullgaria ka ofruar gjithashtu ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë ndihmë të rëndësishme ushtarake.

Megjithëse Qeveria nuk e ka pranuar dërgimin e armëve, statistikat e publikuara nga ministria e ekonomisë tregojnë se prodhimi dhe eksporti i municioneve janë trefishuar këtë vit.

Kriza e fundit u shkaktua kur Petkov u përpoq të arrinte një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut në dhjetor, duke hequr veton e Bullgarisë në bisedimet e anëtarësimit në BE në këmbim të lëshimeve nga Shkupi.

Shumë bullgarë kundërshtojnë identitetin e Maqedonisë së Veriut dhe versionin e historisë që mësohet në shkollat ​​e saj.

Sondazhet tregojnë se më pak se gjysma e bullgarëve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, nga dy të tretat në vitin 2017.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore