Lajme

Krivokapiç s’ia dorëzon detyrën e kryeministrit Abazoviç-it


Ish-kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, ka refuzuar që t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit të ri Dritan Abazoviç, pasi konsideron që ka pasur shkelje shkelje kushtetuese dhe të procedurave.

“S’dua t’i jap legjitimitet shkeljes demokratike dhe ligjore. E lashë një mesazh të qartë në kabinet sa i përket tranzicionit”, ka shkruar Krivokapiç në Twitter.

Më 28 prill, kryeministri i ri i Malit të Zi është zgjedhur Dritan Abazoviç me 45 vota për dhe tri kundër.

Qeveria Abazoviç do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë të cilët janë edhe ministra të linjës dhe dy ministra pa portofol.

Në Qeverinë e re të Malit të Zi, do të jenë edhe dy ministra shqiptarë.

Marash Dukaj do të jetë ministër i Administratës Publike, kurse Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve.

Abazoviç theksoi pas seancës së Kuvendit se Qeveria do të zgjasë për aq kohë sa rrethanat politike të jenë të favorshme dhe për aq kohë sa deputetët e lejojnë atë.

“Është e kufizuar në një vit, por marrëveshja e koalicionit thotë se pas një viti do të përmblidhen rezultatet dhe do të shihet se çfarë do të ndodhë më pas, në një vit gjërat do të jenë shumë më mirë se sa janë sot”, potencoi Abazoviç.

Ai tha se adresa e parë e tij për vizitë do të jetë Brukseli, por “nëse është e mundur, jam gati të shkojë edhe në Kiev”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore