Lajme

Kritikohet Gërvalla për deklaratën e saj se “Kosova nuk i ka kryer detyrat për t’u pranuar në BE”


Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla

Sekretari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kritikuar deklarimet e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, e cila tha të shtunën se Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Gjoshi ka shkruar se këto deklarime janë me prapavijë, pasi që sipas tij, Gërvalla po mundohet ta paraqesë liberalizimin e vizave “si një sukses të Qeverisë Kurti dhe jo si karotë për lëshimet që priten në dialogun me Serbinë”.

Ai ka shtuar se kushtet për procesin e liberalizimit të vizave janë plotësuar në Qeverinë Thaçi.

“Deklarata e ministres së jashtme, Donika Schwarz, se Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj dhe nuk duhet të fajësohet BE-ja është me prapavijë. Shwarz po mundohet ta paraqesë liberalizimin e mundshëm të vizave si një sukses të Qeverisë Kurti dhe jo si një karotë për lëshimet që po priten në dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale”, ka shkruar tutje.

Edhe Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla,

Ai ka pyetur se “edhe sa kohë do të duroj kryeministri Kurti një ministre të tillë”.

“Të fajësosh Kosovën për mospërmbushje të kushteve duke ia lënë fajin asaj, e të mos e fajësosh BE-në ku edhe zyrtarët e saj kanë thënë se janë përmbushur kriteret por ka ‘divergjenca’ në BE, përveç se është amatorizëm politik, është edhe e dëmshme për Kosovën dhe nuk e di se edhe sa kohë kryeministri Kurti do ta durojë një ministre të tillë të jashtme”, ka shkruar ai në Facebook.

Të shtunën, Gërvalla e ka arsyetuar vonesën e Bashkimit Evropian në integrimin e vendeve ballkanike, meqë sipas saj “Kosova dhe rajoni nuk i kanë kryer detyrat e shtëpisë”.

“Të flasim për BE-në dhe për ne, por më së shumti për atë që ne duhet të jemi anëtarë të BE-së. Kur them ‘ne’, mendoj gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Me gjithë vështirësitë dhe sfidat duhet konstatuar që BE-ja na ka ofruar më të mirën që posedon – perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm të historisë evropiane. Prandaj, por mbi të gjitha për veten tonë, ne duhet të përmbushim detyrat tona:Duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, duke përfshirë edhe të qenit të ashpër ndaj korrupsionit.Duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore. Ne ende nuk kemi arritur aty”.

Ndërkaq muajin e kaluar, në një intervistë dhënë gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, edicionin ndërkombëtar, Gërvalla ka kërkuar që vrasjet e pasluftës të hetohen, derisa në tekst thuhet se vrasjet ndodhën pas tërheqjes së trupave serbe dhe se “vrasjet u kryen kryesisht nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, që në të kaluarën ka thënë edhe në media të tjera, që ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për të kontribuuar me prova.

Donika Gërvalla është ministre në Qeverinë e Albin Kurtit, vjen nga Lista Guxo, një nismë politike e themeluar nga Vjosa Osmani, tash presidente e Kosovës.

Më herët Gërvalla ishte anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ishte përjashtuar nga LDK-ja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore