Shqipëria

Krimi i druhet krimit, jo Policisë


Vetëm pesë ditë nga atentati i 17 korrikut në Fushë-Krujë ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, dy persona të tjerë u qëlluan mbrëmjen e së premtes në Laç.

Nga burimet pranë Policisë, mësohet se i vdekur ka mbetur Klisman Prençi, 28 vjeç dhe është plagosur rëndë Ylli Brahimi, 46-vjeç.

Të dy persona me precedentë penalë dhe të dy i kishin shpëtuar një atentati të mëparshëm.

Pamje nga vendngjarja ku mbeti i vdekur Klisman Prençi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi

Brahimi u tentua të ekzekutohej nga dy persona më 13 janar të vitit 2021 në qendër të Milotit.

Sa i përket Prençit, ndaj tij dhe kushëririt të tij ndodhi një atenat ndodhi më maj të këtij viti në zonën e Lezhës.

Policia po heton si arsye të mundshme të atentatit pistat e hakmarrjes, lidhjet me krimin, apo të prishjes së pazareve të drogës.

Nuk është vërtetuar lidhja e viktimave të se premtes me ato të 17 korrikut, por diçka kanë të përbashkët, autorët akoma nuk janë kapur.

Vrasjet, plagosjet, atentatet apo kërcënimet e ndryshme, të cilat bëhen  kryetituj të mediave vendase kanë një emërues të përbashkët: “Policia vazhdon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

“Disa qytete në Shqipëri janë bastione të bandave dhe grupeve mafioze të lidhura jo vetëm mbi baza fisnore, por dhe lidhje brenda dhe jashtë vendit, madje njohjet dhe interesat ndërthuren me shumë segmente të punonjësve të veshur pushtet”, e përshkruan për Albanian Post klimën e krimit, eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës, Fatjon Softa.

Edhe gazetarja investigative, Klodiana Lala ka bindjen se grupet kriminale në Shqipëri kanë lidhjet e tyre në Policinë e Shtetit, apo institucionet e tjera ligjzbatuese.

“Për shkak të inkriminimit, policia nuk mundet t’i prekë”, tha gazetarja investigative për Albanian Post.

Atentati i 17 korrikut në Fushë-Krujë me tre të vdekur

Sipas Lalës, pandëshkueshmëria vjen edhe nga mungesa e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe autoriteteve të Policisë.

“Qytetarët nuk janë bashkëpunues për shkak të mentalitetit, por edhe frikës, ndërsa shumë biznese refuzojnë t’i dorëzojnë pamjet e kamerave që shpesh kanë shërbyer për zbardhjen e ngjarjeve”.

Ajo mendon se krimi është “sofistikuar dhe qarkullon miliona euro”, duke “qenë shpeshherë një hap para policisë”.

“Ata përdorin për komunikim platforma të pagjurmueshme ende nga institucionet shqiptare. Grupet mes tyre krijojnë aleanca, çka e bën edhe më të vështirë gjurmimin apo goditjen e tyre”, shpjegon Lala për AP-në.

Krimi ka frikë nga krimi

Sakaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në një emision televiziv, ka theksuar se vrasjet në vend janë produkt i përplasjeve mes grupeve kriminale, teksa përdori zhargonin “le të hanë kokat e njëri-tjetrit”.

“Këta që hanë kokën e njëri-tjetrit, ta dish që, sa herë hanë kokën e njëri-tjetrit, nuk ndiej asgjë tjetër veçse një frymëmarrje të thellë, dhe them hënkshin kokat e njëri-tjetrit. Marr frymë thellë… Le të vrasin njëri-tjetrin, janë të lutur ta bëjnë. Këta të fortët që bëjnë të fortin nëpër qytete do të zhduken, do ta mendojnë mirë kur të dalin nga shtëpia”.

Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës, Softa, shkon më tej, duke thënë që grupet kriminale nuk i druhen Policisë, sa i druhen njëri-tjetrit.

“Grupet kriminale më shumë kanë kujdes dhe mbrohen jo nga Policia, por nga grupet rivale apo nga hakmarrjet. Kemi rastin e Elbasanit. Kur Dumani dyshohej që po shkonte të kryente një atentat dhe shënjestra e tij e gjeti, e gjurmoi dhe e qëlloi”.

“Krimi e gjen personin që do të ekzekutojë, e ndjek, e zbulon dhe e qëllon. Ndërkohë kjo ende nuk po ndodh nga shërbimet e zbulimit. Këtu kam parasysh policinë kriminale, shërbimin informativ, shërbimet e rendit etj.”, thekson eksperti.

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, pyetjes së Albanian Post, nëse përshkallëzimet mes konflikteve ndërmjet grupeve kriminale kanë gjasa të ndodhin, iu përgjigj se “Policia është aty dhe ka marrë informacione për aty ku mund të ketë përshkallëzim konfliktesh”.

Gjithashtu, ai siguroi se “në mos tani, pak më vonë, të jeni të sigurt që dhe personat që janë kërkuar apo që i shmangen drejtësisë do të vihen para organeve të drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore