Shqipëria

Krimi dhe (pa)ndëshkueshmëria në Shqipëri


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, në një deklaratë për mediat tha se në Qarkun e Shkodrës, zbardhja e grabitjes së filialit të një banke dhe zbulimi i ambientit të kultivimit të kanabisit me anë të llambave, që çoi në pranga 9 persona, “është dëshmia e radhës e punës profesionale hetimore”.

Mirëpo, në Shkodër, ashtu si në shumë qytete të tjera, krimi është kthyer në një objekt të përditshëm bisede.

Vrasjet, plagosjet, atentatet apo kërcënimet e ndryshme bëhen pothuajse çdo javë kryetituj të mediave vendase. Por, ajo çka bie në sy, është fjalia përmbyllëse në shumicën prej artikujve: “Policia vazhdon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”

Të dyshuarit, të paktën deri tani, rrallëherë, dalin para drejtësisë.

“Shkodra dhe disa qytete të tjera janë bastione të bandave dhe grupeve mafioze të lidhura jo vetëm mbi baza fisnore, por dhe lidhje brenda dhe jashtë vendit, madje njohjet dhe interesat ndërthuren me shumë segmente të punonjësve të veshur pushtet”, e përshkruan për Albanian Post klimën e krimit, eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës, Fatjon Softa.

Sipas tij, pa dyshim që aksionet ku Policia del “faqebardhë”, duke zbuluar lëndë narkotike apo ku ia del të kapë autorët e dyshuar është sukses dhe duhen dhënë merita, por “raporti në mes suksesit dhe dështimit (mos-suksesit) është në disfavor”.

“Patjetër aksioni i zbulimit të grabitësve të dyshuar, apo zbulimet e lëndëve narkotike është sukses dhe sukseset duhen thënë, sepse ngrenë moralin e forcave të rendit, porse politika i përdor për të ngritur imazhin në sy të qytetarëve dhe ndërkombëtareve”.

Edhe gazetarja investigative, Klodiana Lala ka bindjen se këto grupe kriminale kanë ndërkohë edhe lidhjet e tyre në Policinë e Shtetit, apo institucionet e tjera ligjzbatuese.

“Për shkak të inkriminimit, policia nuk mundet t’i prekë”, tha gazetarja investigative për Albanian Post.

“Punë e papërfunduar”

Në diskursin e tij, eksperti i kriminalistikës, arsyeton se Policia e Shtetit ka dështuar në shumë aspekte dhe kjo tregon punën e tyre të lënë të papërfunduar.

“Parandalimi ka dështuar, mbledhja e armëve me forcë ka dështuar, goditja e grupeve në embrionet dhe organizimet e tyre ka dështuar, kontrolli i fortë i territorit, pikave të kufirit blu dhe të gjelbër, gjithashtu ka dështuar. Lëvizja e lirë e personave në kërkim dhe ushtrimi i aktivitetit të tyre lirshëm tregon pamjaftueshmëri të punëve”.

Të njëjtën tezë shtron edhe eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, sipas të cilit eksponentët e krimit janë të njëjtët dhe organet kompetente duhet të bëjnë më shumë për identifikimin e tyre.

“Kemi të bëjmë me grupe të njëjta. Shumica janë grupe personash, që kanë konflikte të hershme, të njohura”.

Ndërsa qasja e Lalës është më e ndryshme.

Sipas saj, mungon edhe bashkëpunimi mes qytetarëve dhe autoriteteve të Policisë.

“Qytetarët nuk janë bashkëpunues për shkak të mentalitetit, por edhe frikës, ndërsa shumë biznese refuzojnë t’i dorëzojnë pamjet e kamerave që shpesh kanë shërbyer për zbardhjen e ngjarjeve”.

Ajo mendon se krimi është “sofistikuar dhe qarkullon miliona euro”, duke “qenë shpeshherë një hap para policisë”.

“Ata përdorin për komunikim platforma të pagjurmueshme ende nga institucionet shqiptare. Grupet mes tyre krijojnë aleanca, çka e bën edhe më të vështirë gjurmimin apo goditjen e tyre”, shpjegon Lala për AP-në.

Krimi ka frikë nga krimi

Sakaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në një emision televiziv, ka theksuar se vrasjet në vend janë produkt i përplasjeve mes grupeve kriminale, teksa përdori zhargonin “le të hanë kokat e njëri-tjetrit”.

“Këta që hanë kokën e njëri-tjetrit, ta dish që, sa herë hanë kokën e njëri-tjetrit, nuk ndiej asgjë tjetër veçse një frymëmarrje të thellë, dhe them hënkshin kokat e njëri-tjetrit. Marr frymë thellë… Le të vrasin njëri-tjetrin, janë të lutur ta bëjnë. Këta të fortët që bëjnë të fortin nëpër qytete do të zhduken, do ta mendojnë mirë kur të dalin nga shtëpia”.

Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës, Softa, shkon më tej, duke thënë që grupet kriminale nuk i druhen Policisë, sa i druhen njëri-tjetrit.

“Grupet kriminale më shumë kanë kujdes dhe mbrohen jo nga Policia, por nga grupet rivale apo nga hakmarrjet. Kemi rastin e Elbasanit. Kur Dumani dyshohej që po shkonte të kryente një atentat dhe shënjestra e tij e gjeti, e gjurmoi dhe e qëlloi”.

“Krimi e gjen personin që do të ekzekutojë, e ndjek, e zbulon dhe e qëllon. Ndërkohë kjo ende nuk po ndodh nga shërbimet e zbulimit. Këtu kam parasysh policinë kriminale, shërbimin informativ, shërbimet e rendit etj.”, thekson eksperti.

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, pyetjes së Albanian Post, nëse përshkallëzimet mes konflikteve ndërmjet grupeve kriminale kanë gjasa të ndodhin, iu përgjigj se “Policia është aty dhe ka marrë informacione për aty ku mund të ketë përshkallëzim konfliktesh”.

Gjithashtu, ai siguroi se “në mos tani, pak më vonë, të jeni të sigurt që dhe personat që janë kërkuar apo që i shmangen drejtësisë do të vihen para organeve të drejtësisë”.

Si mund të parandalohen krimet?

Këshilla kryesore nga ekspertët e fushës për t’u parandaluar krimet është që “Policia duhet të shtojë masat”.

Për pedagogun e kriminalistikës, Ervin Karamuço, këto masa konsistojnë më shumë në përmirësimin e pajisjeve teknologjike që kanë në përdorim autoritetet.

Sipas tij, nevojitet përfshirja e informacionit kriminal të targave ose makinave të vjedhura në sistemet teknologjike të identifikimit në distancë të mjeteve motorike, të cilat sot përdoren vetëm për kontrollin e gjobave të prapambetura.

Ai, po ashtu, këshillon “Pajisjen me aparatura të reja portabël për detektimin gjatë kontrolleve rutinë për mbetje të mundshme të faktorëve plotësues të armëve apo eksplozivëve që mund të jenë mbartur në makinë”, apo instalimin e radarëve të ndryshëm “për mbajtjen nën kontroll të hapësirave publike nga individë të rrezikshëm që qarkullojnë me armë”.

Sipas Karamuços, “investimi në teknologjinë inteligjente të sigurisë publike do të ulë deri në 65% të probabilitetit aktual të kriminalitetit në disa zona të identifikuara tashmë si shumë problematike”, tha ai.

Edhe Softa, në përmbyllje të diskursit të tij thotë se “Policia, sigurisht, ka dhe merita dhe punë. Është një komunitet shumë i madh, brenda të cilit ka kuadro dhe punonjës policie të përkushtuar, por që përballen me halle ekonomike dhe me mbështetjen e vogël politike për të bërë karrierën e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore