Lajme

Krijuesit gjermanë, kundër politikës së Google për cookies


Botuesit dhe reklamuesit më të mëdhenj të Gjermanisë po kërkojnë që BE-ja të ndërhyjë mbi planin e gjigantit të Google për të ndaluar përdorimin e cookies të palëve të treta.

Axel Springer, botuesi i titujve si “Bild” dhe “Politico”, është në mesin e qindra botuesve, reklamuesve dhe grupeve mediatike që i kanë raportuar shefes së konkurrencës së bllokut, Margrethe Vestager, se “Google me lëvizjen më të fundit për të hequr gradualisht cookies nga shfletuesi i tij Chrome po shkel ligjin e BE-së”.

Vendimi bllokon reklamuesit, botuesit dhe ndërmjetësit që të analizojnë preferencat e përdoruesve, ndërsa ata shfletojnë përmbajtjen në internet – goditje kritike për mënyrën sesi industria i gjeneron të ardhura.

Ankesës prej 108 faqesh të dërguar të hënën, Axel Springerit i janë bashkuar dhe organe të tjera të industrisë, si Shoqata Federale e Botuesve Digjitalë të Gjermanisë.

Ata argumentojnë se ndryshimet e planifikuara të Google do të dëmtojnë bizneset e tyre, duke lejuar grupin e Silicon Valley të mbledhë sasi të mëdha të të dhënave të përdoruesve në mënyra që nuk ndikojnë në biznesin e tij të kërkimit.

Ankesa është përpjekja më e fundit për të detyruar Brukselin të hapë një hetim zyrtar, që mund të çojë në gjoba me vlerë deri në 10% të të ardhurave globale.

Gjigandi i teknologjisë ka marrë tashmë më shumë se 8 miliardë euro gjoba në tre raste të veçanta antitrusti gjatë dekadës së fundit.

Vendimi i Google për cookie-t ishte vonuar me gati dy vjet, pasi kompania e Silicon Valley deklaroi se ishte në bisedime me rivalët dhe rregullatorët mbi ndryshimin. Kjo sepse kërkonte të shmangte “rrezikimin” e biznesit të botuesve të internetit.

Një raport nga mbikëqyrësi i konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se botuesit në internet rrezikonin të pësonin humbje të mëdha të të ardhurave, të llogaritura deri në 70%.

Zyrtarët e BE-së tashmë janë të shqetësuar se kompania Google mund të abuzojë me pozitën e saj dominuese për të përfituar shërbimet e veta të reklamave në dëm të konkurrentëve.

Në SHBA, gjithashtu, gjiganti i teknologjisë është akuzuar nga rregullatorët për bashkëpunim me median sociale Facebook për të mbyllur shkëmbimet rivale të reklamave.

Duke kërkuar të shmangë shqyrtimin e mëtejshëm, Google ka nisur një fushatë masive lobimi në Bruksel kundër përpjekjeve për të frenuar fuqinë e saj në treg.

Rregullatorët në Bruksel kanë hapur tashmë një hetim jozyrtar për pozicionin e gjigantit të kërkimit në tregun online, ku vepron si ndërmjetësi dominues midis reklamuesve dhe botuesve.

Kjo është pjesë e një hetimi më të gjerë, që filloi në 2019, për mënyrën sesi Google mbledh të dhënat.

Kompania, gjithashtu, do të apelojë në Gjykatën e Lartë të BE-së, ndaj një vendimi të mëparshëm për të paguar një gjobë prej 2.42 miliardë euro për promovimin e shërbimit të saj të krahasimit të blerjeve mbi rivalët.

Një zyrtar i Google tha se shumë platforma dhe shfletues të tjerë “kanë ndaluar tashmë mbështetjen e cookie-ve të palëve të treta, por Google është i vetmi që e bën këtë hapur dhe në konsultim me organet e standardeve teknike, rregullatorët dhe industrinë, duke propozuar gjithashtu teknologji të reja alternative”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore