Shqipëria

Krifca për protestën e fermerëve: Jam në komunikim të vazhdueshëm


“Dialogu nuk ka munguar asnjëherë dhe të gjitha kërkesat janë të menaxhuara shumë mirë në buxhetin për vitin 2022”.

Kështu është shprehur ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrive të enjten e 18 nëntorit, ku deklaroi se është miratuar një Projektvendim për shtyrjen e “Programit për zhvillimin e qëndrueshëm rural”.

Krifca bëri me dije se ky Program është në bashkëpunim me Republikën Gjermane, e cila jep në total një fond prej 15 milionë eurosh.

Ajo bëri me dije se ky program do të shtrihet përgjatë vitit 2022.

Sipas ministres, fermerët kanë pretendime për paketën fiskale, që janë të propozuara në buxhetin e vitit 2022.

Më tej, Krifca shtoi se kjo e fundit vjen si masë për të rritur produktivitetin dhe mbështetjen për fermerët.

“E gjitha”, sipas saj, “ka të bëjë me rritjen e aktivitetit të bujqësisë për të pasur më shumë eksporte, për një bujqësi më të qëndrueshme”.

Ministrja e mbylli, duke thënë se, “jemi në një kah dhe jo në një kah të ndryshme”.

Të hënën, fermerët u ngritën në protestë. Fermerët kërkojnë  “subvencionim direkt i fermerit me 10 lekë për kg”, “barazim të TVSH-së në shitje dhe blerje”, “subvencionim 3 lekë për eksportuesit”, “laboratorë analizash për tokat dhe perimet”, si dhe “garanci për pagat e faturave nga grumbulluesit”.

Ata kanë paralajmëruar sërish protesta të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore