Lajme

Kreu i Volkswagen-it: Makinat autonome, jo makinat elektrike, janë ‘ndryshueset e lojës’


Herbert Diess, kreu i kompanisë Volkswagen të automjeteve, ka deklaruar se makinat autonome, jo ato elektrike, janë “ndryshimi i vërtetë i lojës” për industrinë e automobilave, e cila deri në vitin 2035 do përballet me fundin e motorëve me djegie në Evropë.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se ky reagim i Diess sinjalizon ritmin me të cilin 62-vjeçari përpiqet të transformojë prodhuesin më të madh të makinave në Evropë, duke thënë në thelb se kalimi drejt automjeteve elektrike me bateri, të cilat ende duhet të mbështeten nga shitjet aktuale, është vulosur.

“Vozitja autonome me të vërtetë do të ndryshojë industrinë tonë si asgjë tjetër më parë”, është shprehur Diess në Mynih para hapjes zyrtare të shfaqjes së makinave, IAA.

Në fjalën e tij, ai ka shtuar se “ndryshuesi i vërtetë i lojës është software-i dhe drejtimi autonom”.

Diess ka reaguar kështu teksa presioni mjedisor mbi sektorin e automobilave është në rritje, me Komisionin Evropian që propozoi në muajin korrik një ndalim efektiv të shitjes së makinave të reja me benzinë ​​dhe naftë prej vitit 2035.

Nga ana tjetër, Greenpeace dhe OJF-ja mjedisore gjermane, Deutsche Umwelthilfe (DUH), kanë deklaruar se do të ndërmarrin veprime ligjore kundër prodhuesve gjermanë të makinave, përfshirë Volkswagen-in, nëse nuk arrijnë të forcojnë politikat e tyre për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Kjo është edhe arsyeja, shkruan “Reuters”, se pse Diess nuk synon vetëm të kapërcejë Tesla-n dhe ta kthejë kompaninë e vet në shitësin më të madh në botë të automjeteve elektrike deri në vitin 2025.

Ai dëshiron t’i kthejë shërbimet software-ike për makinat autonome në një shtyllë kyçe të biznesit të ardhshëm të grupit, prandaj dhe Volkswagen-i ka blerë një startup software-ësh vetëdrejtues të quajtur  Argo AI, një konkurrent i Waymo-s së Alphabet-it.

Gjatë dekadës së fundit, prodhuesit tradicionalë të makinave dhe firmat e teknologjisë kanë derdhur miliarda dollarë për të realizuar vizionin e makinave pa shofer, por ato mbeten të pakapshme për shkak të pengesave teknike dhe rregullatore që kërkojnë prani të vazhdueshme njerëzore.

Mirëpo, deri në vitin 2030, Volkswagen-i pret 1.2 trilionë euro shitje të software-it të mundësuar në sektorin e makinave, duke përbërë afro një të katërtën e tregut global të lëvizshmërisë, i cili pritet të dyfishohet si rezultat i kësaj në pesë trilionë euro.

“Deri në vitin 2030…rreth 85 për qind e biznesit tonë janë vetura, makina private, makina me qira në pronësi private”, ka treguar Diess.

Kjo lidhet me lëvizjen e fundit të grupit për të udhëhequr një konsorcium në blerjen e firmës së makinave me qira, Europcar, një bast mbi shërbimet e lëvizshmërisë potencialisht fitimprurëse që ende pritet të bëhen realitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore