Lajme

Kreu i Speciales : E mirëpres gjykimin Apelit për Haradinajn dhe Gucatin


Ushtruesi i detyrës së prokurorit të specializuar, Alex Whiting , e ka mirëpritur aktgjykimin e Apelit në Hagë, pasi kjo instancë vendosi për t’ia zvogëluar dënimet për nga tre muaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

“E mirëpres gjykimin e sotëm të Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara, i cili përforcon sundimin e ligjit në Kosovë dhe dërgon mesazh të qartë ndaj të gjithë të përfshirëve në frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje ndaj dëshmitarëve apo pengim të drejtësisë”, tha Whiting.

Ai ka theksuar se ZPS-ja i merr këto krime shumë seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe të bëjë ndjekje penale ndaj të gjithë të përfshirëve në çdo instancë.

“Ky rast ka qenë për kushtet e kërkuara për një administrim fer të drejtësisë dhe çfarë nevojitet për të bërë realitet sundimin e ligjit. Dëshmitarët duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë pa pasur frikë nga hakmarrja apo ndëshkimi”.

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ua ka zvogëluar dënimet për nga tre muaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Gucatit dhe Haradinajt iu shqiptua dënim me nga 4 vjet e 3 muaj burgim për secilin veç e veç.

Por, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, tha se mbetet në fuqi dënimi shtesë për Gucatin dhe Haradinajn me një gjobë prej 100 eurosh.

“Ky aktgjykim duhet të zbatohet me efekt të menjëhershëm”, tha ajo.

Sipas saj, Gucati dhe Haradinaj do të mbeten në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e të tyre në shtetin ku do të vuajnë dënimin.

Apeli ua zvogëlon dënimet Gucatit dhe Haradinajt për tre muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore