Shqipëria

Kreu i ri i SPAK-ut, kandidatët i plotësojnë kushtet


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) këtë të hënë të 21 nëntorit ka miratuar listën për kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Konkretisht emrat e prokurorëve: Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

KLP-ja në njoftimin për media shprehet se sipas relacionit ata plotësojnë kushtet ligjore.

Ajo njofton se intervistat e kandidatëve dhe votimi për pasardhësin e Arben Krajës pritet të zhvillohen në një ditë.

Për datën Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë në ditët në vijim.

Kandidati që dorëzoi aplikimin i pari ishte prokurori, Adnan Xholi, i cili ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, por ka shërbyer edhe si Prokuror në Krimet e Rënda.

Që nga vi 2013 ai punon në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është konfirmuar nga vettingu vitin e kaluar.

Xholi ka qenë edhe kandidat për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), mirëpo nuk rezultoi fitues.

Ai ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshm dhe ka ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.

Nga ana tjetër, Edvin Kondili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 dhe punon pranë Prokurorisë për Krimeve të Rënda.

Paralelisht me punën si prokuror, Kondili është angazhuar si lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare.

Altin Dumani është prokurori i SPAK-ut, që udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona ditën e sotme mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujës, Enkeleda Hoxha.

Ai vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit dhe është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.

Rruga drejt zgjedhjes

Ishte KLP-ja, e cila miratoi edhe hapjen e procedurës për zgjedhjen e drejtuesit të ri.

Thirrja, e publikuar në faqen zyrtare web të KLP-së përmban procedurën, dokumentacionin e nevojshëm dhe afatin e aplikimit prej 45 ditësh.

Më pas, Këshilli do pati në dispozicion edhe 45 ditë të tjera për t’u njohur me dokumentacionin dhe platformat e aplikantëve që kandiduan.

Pas këtij prezantimi do të mbahen seanca dëgjimore me secilin prej kandidatëve, me qëllim që, deri në datën 18 dhjetor të mundësohet zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut.

Kreu i KLP-së, Alfred Balla, në mbledhje ceku edhe kriteret që mund të favorizojnë kandidatët.

“Kuptohet që kandidatët, të cilët kanë më shumë eksperiencë në drejtim, sepse mundet të jesh një prokuror i mirë, por nuk je menaxher i mirë i një zyre. Kandidatët që kanë spikatur me punën e tyre”, listoi ai.

Po ashtu një plus do të jetë për ata që kanë një figurë mediatike dhe marrëdhënien me median e publikun për aq sa i takon.

“Kandidatët që kanë eksperienca në hartimin e akteve nënligjore dhe rregulloreve do i kemi parasysh në përzgjedhje”.

Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore