Lajme

Kreu i policisë polake tregon detajet e shpërthimit të “dhuratës nga Ukraina”


Kryekomandant i policisë polake, Jaroslav Szymczyk, i cili u shtrua në spital pas shpërthimit të një granatehedhëse të dhuruar në Ukrainë, foli për herë të parë për detajet e shpërthimit në selinë e policisë në Varshavë.

Zyrtari polak foli me agjencinë “RMF 24”.

Siç zbuluan gazetarët e “RMF-së” nga një prej anëtarëve të delegacionit polak që vizitoi Kievin, gjenerali Szymczyk mori dy granatahedhës antitank (ndoshta RGW-90) në Ukrainë, të cilat, sipas palës ukrainase, ishin përdorur.

Dhurata e parë erdhi nga kreu i Policisë Kombëtare të Ukrainës, Ihor Klymenko.

Ishte një granatëhedhës i përdorur antitank që përdorej për të qëlluar ndaj tankeve ruse.

Dukej si një tub i gjatë, i mbyllur nga të dyja anët me stiropor, i cili ishte kthye në altoparlant.

Klymenko, siç tha një nga anëtarët e delegacionit, madje vuri muzikë për të demonstruar punën e tij.

Ukrainasit siguruan se nuk kishte materiale shpërthyese brenda.

Më vonë, oficerët e policisë polake u takuan me kreun e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, gjeneralin Serhiy Kruk.

Pas takimit, zëvendësi i Kruk-ut, Dmytro Bondar, i bëri një vizitë në dhomën ku ishin mbledhur sendet e neutralizuara nga shërbimi, përfshirë predha dhe mina.

Në fund, duke thënë lamtumirën, Bondar i dha edhe Szymczyk një dhuratë – një tub identik granatahedhës.

Ky, megjithatë, nuk u shndërrua në altoparlant, por ukrainasit siguruan që granatahedhësi ishte i përdorur dhe i sigurt.

Po ashtu kanë thënë se mund të transportohet pa dokumente dhe se vlen si skrap.

Sipas burimit, delegacioni u kthye në Varshavë me makinë dhe Szymczyk i la dhuratat e marra në pjesën e pasme të zyrës së tij.

Kreu i policisë polake, nga ana e tij, tha se të nesërmen pas kthimit, ai donte të transferonte dhuratat.

Sapo ai lëvizi një nga granatahedhësit vertikalisht në dysheme, fjalë për fjalë në një sekondë pati një shpërthim.

“Shpërthimi ishte i fuqishëm – forca e goditjes shpoi dyshemenë dhe dëmtoi tavanin në anën tjetër”, tha Szymczyk.

Ekspertët ushtarakë thonë se një granatëhedhës i tillë nuk mund të gjuante vetvetiu – nëse nuk dëmtohej.

Por është gjithashtu e mundur që shefi i policisë mund të ketë shtypur një pjesë të tubit të këmbëzës që nuk ishte testuar plotësisht.

Të enjten, Ministria e Punëve të Brendshme të Polonisë raportoi se një “dhuratë nga Ukraina” shpërtheu në ndërtesën e Departamentit Kryesor të Policisë.

Ministria nuk specifikoi se çfarë ishte dhurata. Në të njëjtën kohë, agjencia vuri në dukje se dhurata ishte bërë nga një prej drejtuesve të shërbimeve ukrainase me të cilët u takua Szymczyk.

Si pasojë e shpërthimit është shembur tavani në një nga dhomat e katit të parë të Komisariatit të Policisë.

Dëmtuan edhe dhomat sipër në katin e dytë. I plagosur ka mbetur edhe një punonjës civil i administratës, i cili nuk ka pasur nevojë për shtrimin në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore