Lajme

Kreu i OBSH: I papranueshmëm procesi i ngadaltë i vaksinave në Evropë


Kreu i Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge, e ka konsideruar përhapjen e vaksinave të coronavirus-it në Evropë si “të ngadaltë dhe të papranueshme”.

Fushatat e vaksinimit në pjesën më të madhe të Evropës janë goditur nga vonesat dhe numri i infeksioneve po rritet.

Franca është vendi i fundit që njoftoi masa të reja bllokimi.

Bashkimi Evropian (BE) është kritikuar për ritmin e programit të saj të vaksinimit – vetëm 16% e popullsisë është vaksinuar, krahasuar me 52% në Mbretërinë e Bashkuar.

“Vaksinat paraqesin mënyrën tonë më të mirë për të dalë nga kjo pandemi. Sidoqoftë, shpërndarja e këtyre vaksinave po bëhet në mënyrë të ngadaltë”, tha Kluge në një deklaratë.

“Ne duhet të shpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin dhe duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave”, shtoi ai.

Javën e kaluar u pa shkalla në rritje e infektimeve me Covid-19 në shumicën e vendeve të rajonit.

Kreu i OBSH në Evropë, paralajmëroi dhe tha të kihet kujdes për rreziqet e përhapjes që lidhen me rritjen e lëvizshmërisë dhe numrin e tubimeve gjatë festave të ardhshme fetare të Pashkëve dhe Ramazanit.

Rreth 27 vende nga më shumë se 50, të përfshira në rajonin e OBSH-së në Evropë, kanë zbatuar bllokime të pjesshme ose të plota për të parandaluar coronavirus-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore