Sport

Kreu i FSHF i bën thirrje kryeministrit Rama për të lejuar tifozët përballë Anglisë


Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i ka bërë një kërkesë publike, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, për të lejuar tifozët në stadium, në ndeshjen përballë Anglisë.

Shqipëria do të luajë më 28 mars, përballë tri luanëve, për kualifikueset e Kupës së Botës 2022.

“Uroj të kem vëmendjen tuaj të plotë, në prag të një përballjeje historike dhe të shumëpritur me Anglinë, që rikthehet në Shqipëri pas plot dy dekadash”, thuhet në deklaratën e Dukës.

Duka ka bërë thirrje që të pranohet një numër i kufizuar i tifozëve në shkallët e stadiumit, ashtu siç lejohet edhe në bazë të rregullave të UEFA. Rregulli i UEFA është që stadiumet të hapen deri në masën 30%, por gjithçka mbetet në duart e organeve shëndetësore të shteteve përkatëse.

“Po ju drejtohem ju, sepse ne i kemi konsumuar të gjithë shkallët e procesit burokratik duke i shkruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, nga të cilët kemi marrë përgjigje refuzuese për praninë e një numri të reduktuar të tifozëve në stadium, siҫ e lejon dhe qeveria europiane e futbollit, UEFA”, vijon Duka.

“Duke parë që në vendin tonë shumë biznese me grumbullime masive njerëzish vazhdojnë aktivitetin normalisht, do të shpresoja shumë që ju të ndihmonit ekipin Kombëtar shqiptar dhe tifozët tanë të zjarrtë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Botërorit Katar 2022”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vendosi rregulla të reja në datën 25 mars dhe që me shumë mundësi do të ketë lejim të grumbullimeve mbi 10 persona, çka për Dukën duhet të merret në konsideratë edhe prania e tifozëve në stadium.

“Duke marrë parasysh faktin se Komiteti Teknik i Ekspertëve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendosi që grumbullimi i më shumë se 10 personave pas 25 marsit është i lejuar, jam besimplotë që ju do ta merrni në konsideratë këtë kërkesë në të mirë të futbollit shqiptar dhe dashurisë që kanë tifozët tanë për fanellën kuqezi”, përfundon kreu i FSHF.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore