Shqipëria

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Shqipëria poshtë me investimet në biznes, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kryesojnë


“Kemi shënuar rritje të investimeve amerikane me 62 milionë në vitin që kaloi. Kjo është rritje organike e bërë me kontribut të investimeve të vogla, të cilat i konsiderojmë se do jenë të qëndrueshme. Jemi të qartë që janë shifra modeste. Edhe kjo na çon te klima e biznesit. Por, nëse krahasohemi me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ne jemi poshtë në investime në Shqipëri”.

Kjo ka qenë deklarata e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, i cili ka bërë analizën e klimës së biznesit në një konferencë vjetore.

“Faktorë të jashtëm dhe të brendshëm po e bëjnë klimën e biznesit gjithnjë edhe më të rëndësishme. Presionet globale nuk i kemi ne në dorë, nuk e ka Shqipëria në dorë, por klimën e biznesit e ka Shqipëria në dorë”, u shpreh Jaço.

Sipas tij, gjatë tre-katër viteve të fundit ka pasur një rënie të indeksit të biznesit. Kjo ka të bëjë me besimin e komunitetit të biznesit në terrenin ekonomik në të cilin ata operojnë.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ulja e besimit shkakton shumë efekte të tjera të padëshirueshme në investime, kapitale, largim të kapitalit njerëzor etj.” vijoi kreu i Dhomës.

Jaço theksoi se është e rëndësishme reforma për përmirësimin e klimës, e cila është e lidhur me përfitimet që ka në dorë Shqipëria.

Rekomandimet për një klimë biznesi më të mirë

Ai ka propozuar tetë shtylla për të ndërtuar një strukturë të suksesshme të investimeve dhe klimës së biznesit.

“Nëse do të realizoheshin 75% e rekomandimeve, do jepte mundësinë e një klime biznesi të favorshme, por kemi vetëm 33% të rekomandimeve të plotësuara. Ne kemi dhënë 40 rekomandime të rëndësishme”, tha fillimisht ai, teksa prezantoi dhe rekomandimet.

Më tej u shpreh se duhet një strukturë për të tërhequr investime të huaja dhe kush tërheq investime të huaja ka përfitime të mëdha në ekonomi. “Investimet sjellin të ardhura, punësim dhe investim në teknologji”.

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço

“Duhet një strategji transparente në investime se cilat janë prioritet. Ne mendojmë se duhet të ketë procedura të shkurtuara lidhur me investimet, lidhur me lejet e ndërtimit”, tha ai duke shtuar se këtu shembulli më i mirë është Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Këto dy vende, sipas tij, janë të përqendruar në procedura të thjeshta dhe të shkurtra. Por, e kundërta, ndodh në Shqipëri.

“Duhet të ketë iniciativa të qarta për investimet. Të ketë ulje të përqendrimit të tregut dhe rënie të monopolit në disa sektorë”, tha ai drejtuar vendit tonë.

Duke vijuar me rekomandimet, deklaroi se një pikë tjetër është miratimi i një pakete antikorrupsion në Kuvend.

“Kjo ka qëllim parandalimin e korrupsionit, edhe është komplementare nga organet ligjvënëse. Ne propozojmë miratimin e legjislacionit antiryshfet, i lidhur ngushtë me antikorrupsionin, që është reformimi”, tha ai.

E gjitha kjo ka të bëjë me eliminimin në maksimum të rasteve përjashtimore, prandaj “ne mendojmë që, në kushtet e Shqipërisë, duhet të jemi sa më konservatorë se kemi pasur raste të dukshme të shkeljeve”.

“Kërkojmë një sistem të riformatuar te prokurimet publike. Duhet të ketë sa më pak raste përjashtimore që anashkalojnë procedurat standarde të prokurimit publik”.

Rol të rëndësishëm, sipas tij, luan edhe aktivizimi i shoqërisë civile.

“Ne kemi ndoshta një nga ligjet më të mira të konsultimit publik, por problemi është që nuk zbatohet në mënyrën e duhur. Ne rekomandojmë numër instrumentesh që ka për qëllim zbatimin e duhur të ligjit. Sa më mirë të funksionojë, aq më shumë rritet besimi i publikut”, vijoi Jaço.

Ndërsa pasqyroi rekomandimet, ai theksoi se sistemi tatimor duhet të përputhet me standardet ndërkombëtare.

“Sistemi tatimor është i rëndësishëm për bizneset. Parimet tona janë standardet e kontabilitetit. Duhet të jetë i parashikueshëm, që do të thotë se bizneset kanë nevojë të bëjnë planifikimin e tyre. Nëse ligjet ndryshojnë çdo vit, e vështirë të bëjnë parashikim. Vendet më të mira ndryshojnë ligjin jo më shpesh se një herë në katër vjet”.

Ndërsa pasqyroi rekomandimet, ai theksoi se sistemi tatimor duhet të përputhet me standardet ndërkombëtare.

“Sistemi tatimor është i rëndësishëm për bizneset. Parimet tona janë standardet e kontabilitetit. Duhet të jetë i parashikueshëm, që do të thotë se bizneset kanë nevojë të bëjnë planifikimin e tyre. Nëse ligjet ndryshojnë çdo vit, e vështirë të bëjnë parashikim. Vendet më të mira ndryshojnë ligjin jo më shpesh se një herë në katër vjet”.

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh edhe se drafti për tatimin mbi të ardhurat nuk përmbush standardet e kontabilitetit ndërkombëtar.

“Nuk është në përputhje me formalizmin e ekonomisë. Disa pika janë në kundërshtim me fiskalizimin, dhe disa pika nuk janë në përputhje me konkurrueshmërisë. Është një draft shumë kompleks”, theksoi ai.

Rekomandimi tjetër kishte të bënte me kufizimet ndaj pagesave “cash”.

“Kjo do të sillte një mbështetje edhe ndaj përpjekjeve që bëhen kundër pastrimit të parave. Mos të harrojmë që Shqipëria mbetet në zonën gri për disa vjet tashmë”.

I fundit propozim nga Jaço ishte përmirësimi dhe rritja e fuqive punëtore.

“Ky është një hendek që po ndodh në të gjithë botën, por në Shqipëri është shumë e theksuar”, tha Jaço, duke e vlerësuar negativisht vendin tonë.

Nga ana tjetër, ai u ndal tek amnistia fiskale, teksa ka hyrë në fazën e konsultimeve publike.

“Ne duam pak më tepër kohë për ta analizuar plotësisht. Megjithatë opinioni i tanishëm është që ndryshimet nuk janë esenciale nga drafti i mëparshëm. Problemi që kemi pasur ne, si parim kryesor, ka të bëjë me mundësinë që krijon për pastrimin e parave dhe evazion fiskal. Ky është një problem që e kanë shumë partnerë ndërkombëtarë. Nëse ky ligj ka marrë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, strukturave si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Moneyval, atëherë edhe në do të ishim mbështetës. Shqetësimet tona vijojnë të jenë si më parë në lidhje me këtë ligj. Problemi tjetër është ai i konkurrencës së pandershme”, ravijëzoi Kreu i Dhomës.

Në fund, kur u pyet mbi kompanitë amerikane që kanë aplikuar për të qenë investitorë strategjikë, ai u përgjigj qartë se, sa i përket kësaj, nuk ka informacion.

“Nuk kam informacion që kompani amerikane kanë aplikuar për të qenë investitorë strategjikë apo jo. Ndoshta ka, por nuk kam informacion të tillë. Sa i përket ambasadës amerikane, kemi marrëdhënie shumë të mira dhe janë në dijeni të të gjithë klimës së investimeve. Theksoj se agjenda e investimeve është bërë publike në qershor të 2020-s”, e përmbylli fjalën Jaço.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore