Lajme

Krerët institucionalë bëjnë homazhe te busti i Bob Dole


Krerët institucionalë duke bërë homazhe te busti i Bob Dole

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të shoqëruar edhe me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, gjatë ditës së hënë një ditë pas vdekjes së ish-senatorit amerikan Bob Dole, kanë vendosur kurora lulesh pranë bustit të tij në Prishtinë.

Me ç’rast Kryeqeveritari, Kurti, pas homazheve, ka deklaruar se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar.

Kjo pasi sipas tij hetuesit më të mirë kosovarë janë përfshirë për të zbardhur rastin në komunën e Deçanit.

“Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, ka thënë Kurti.

Albin Kurti

Në anën tjetër Kryekuvendari, Konjufca, ka folur për kontributin e senatorit Dole duke shtuar se populli i Kosovës por dhe kombi shqiptar në përgjithësi, do të jetë mirënjohës për jetën dhe veprën e tij.

“Kontributi i tij filloi qysh herët, gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe shqiptarët ishin në gjendje shumë të rëndë ku kishin nevojë për një mik të vërtet”, ka thënë Konjufca

Bob Dole, ligjvënësi shumëvjeçar që tejkaloi plagët e rënda të Luftës së Dytë Botërore për t’u bërë ruajtësi i Partisë Republikane, vdiq në gjumë në moshën 98-vjeçare, gjatë ditës së diel.

Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë të dielën.

“Me zemër të rëndë njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq këtë mëngjes herët në gjumë”, shkruhet në njoftim.

“Në vdekjen e tij, në moshën 98-vjeçare, ai i kishte shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet.”

Bob Dole

Ndryshe me një minutë heshtje ka filluar edhe seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës, për të nderuar njeriun që kontribuoi lirisë së Kosovës, senatorin amerikan, Bob Dole, i cili vdiq në gjumë në moshën 98 vjeçare.

Kryekuvendari Konjufca, ka thënë se vepra e tij dhe kontributi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës mbeten të paharrueshme.

Derisa të gjithë deputetët janë ngritur në këmbë në nderë të senatorit Dole, Lista Serbe ka qëndruar ulur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore