Kosova

Krerët e shtetit takohen me ambasadorët e QUINT-it, diskutojnë për procesin e Vettingut


Krerët institucional me ambasadorët e QUINT-it

Ndonëse Komisioni i Venecias gjatë muajit qershor pritet të dal me opinion rreth çështjes së Vettingut, krerët institucional të Kosovës në takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia) kanë nënvizuar faktin se procesi i vettingut, sipas tyre, është parakusht për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Takimin në fjalë ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës, ku mes tjerash bënë të ditur se në një takim që kanë pasur, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me ambasadorët e QUINT-it, është diskutuar rreth procesit të vettingut dhe rendësin për forcimin e sundimit të ligjit.

“Liderët institucional përcollën mesazhe mbi rëndësinë e patjetërsueshme dhe  jetike për ndërtim të një sistemi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vettingut, për të garantuar sistem të drejtësisë me integritet të lartë, profesionalizëm dhe efikasistet, i cili i përgjigjet nevojave të qytetarëve për drejtësi”.

Në takim krerët institucional kanë përsëritur, përkushtimin e institucioneve të Kosovës që ky proces të ndërtohet dhe zbatohet duke i respektuar standardet më të larta evropiane, të cilat garantojnë pavarësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë, dhe për të cilat Kosova ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.

Çka parasheh koncept-dokumenti për Vetting?

Ky proces synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se procedurës duhet të përfundojë brenda 75 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore