Bota

Kremlini urdhëron arrestimin e Navalny-t


Nëse Alexei Navalny kthehet në Rusi, ai rrezikon të arrestohet. Kjo, pasi ai nuk ka zbatuar detyrimin e paraqitjes vendosur nga Gjykata Ruse. Navalny është akuzuar më parë për mashtrim dhe përvetësim fondesh në mënyrë të padrejtë.

Një urdhër arresti është gati ndaj kreut të opozitës ruse, Alexei Navalny. Këtë e ka bërë me dije Shërbimi i Burgjeve në Rusi, pasi politikani rus nuk ka respektuar detyrimin e paraqitjes pranë Gjykatës.

Navalny ndërkohë, ka deklaruar se do të kthehet në Rusi të dielën. “E kam prerë vetë biletën”, thotë ai në një video mesazh. “Do të kthehem të demaskoj gjithçka është thënë mbi mua”.

Nga Kremlini ka pasur akuza të vazhdueshme mbi Navalny-n për atë që është quajtur “qasje anti-ruse”. Është pranuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, se Navalny ka qenë në përgjim nga Shërbimi Sekret rus (FSB).

Akuzat dhe aludimet mbi mua shtohen. Shpesh dalin “fakte” të reja kundër meje. Fjalët e mia janë realiteti. Unë nuk po fshihem”, thotë Navalny në video.

Prej muajsh, Navalny ndodhet në Gjermani. Vendodhja e tij e saktë nuk është bërë asnjëherë e ditur që prej asaj kohe.

Gjithë kjo situatë vjen pas përpjekjes për helmim ndaj opozitarit rus, në gusht të vitit 2020. Sipas një përgjimi telefonik të realizuar nga agjencia hetuese e lajmeve, Bellingcat, Navalny ishte helmuar nga FSB-ja.

Dyshime të menjëhershme u hodhën se kjo kishte qenë një përpjekje e Putin-it, për të hequr qafe opozitarin, i cili po fitonte pëlqyeshmëri në popull.

Pritet tashmë rikthimi i tij në Rusi dhe përballja e drejtpërdrejtë me Putin-in. Gjithë situata është duke u monitoruar edhe nga fuqitë e mëdha botërore./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore