Lajme

Kremlini: Putin është i hapur për bisedime, por refuzon kushtet e Biden-it


Presidenti rus Vladimir Putin mbetet “i hapur për bisedime për të garantuar interesat e Rusisë”.

Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencitë shtetërore “TASS” dhe “RIA”.

Në këtë mënyrë, autoritetet ruse iu përgjigjën ofertës së negociatave nga presidenti amerikan Joe Biden.

Peskov shtoi se Moska “e konsideron rrugën paqësore diplomatike si rrugën e preferuar për të arritur qëllimet e saj”.

Megjithatë, Rusia e ka të pamundur të pranojë kushtin e vendosur nga presidenti amerikan Joe Biden për negociatat.

Kjo e fundit, konsiston në largimin e trupave ruse nga territori ukrainas.

Presidenti amerikan Joe Biden shprehu gatishmërinë e tij për bisedime nëse shefi i Kremlin-it vërtet tregon interes për t’i dhënë fund luftës që filloi në Ukrainë.

Këtë e tha Biden të enjten në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pas vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron.

“Kjo luftë mund të përfundojë në një mënyrë racionale – nëse Putin-i tërheq trupat e tij nga Ukraina. Sigurisht, ai nuk do ta bëjë këtë. Për këtë, ai pagoi një çmim të lartë, kreu një masakër të pabesueshme kundër popullatës civile të Ukrainës – bombardoi kopshtet e fëmijëve. Spitale, strehimore për fëmijë, kjo që po bën është e neveritshme”, theksoi presidenti amerikan.

Biden vuri në dukje se nuk ka plane të flasë me Putin-in në të ardhmen e afërt.

“Dua t’i mas mirë fjalët e mia. Do të isha i lumtur të ulem në tryezë me Putin-in, pasi të isha konsultuar me aleatët tanë të NATO-s, për të diskutuar paqen, nëse dhe vetëm nëse ukrainasit janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Por Putini nuk po tregon ndonjë shenjë të vullnetit të vërtetë”, shtoi ai.

Deri në atë moment, kreu amerikan vuri në dukje, “ne duhet të mbështesim popullin ukrainas dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”.

Biden zbulon kushtin për të negociuar me Putin-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore