Lajme

“Krejt dhe Drejt Emigrimit”, Tahiri për Qeverinë Kurti


Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

“Krejt dhe Drejt Emigrimit”, për Qeverinë Kurti ka thënë shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur se numri i qytetarëve të Kosovës, që janë duke kërkuar viza në Ambasada për tu larguar nga Kosova është alarmant.

“Vetëm në katër muajt e fundit 199,783 qytetarë apo rreth 11 % e popullsisë së Kosovës, kanë kërkuar largimin nga vendi përmes pritjes së vizave pranë ambasadave të huaja”.

“Këta qytetarë janë qytetarë real, jetojnë në kohë reale, kanë emër dhe mbiemër dhe të njëjtit, sot nuk shohin më kurrfarë shprese në horizont përveç largimit, sepse shpresa e tyre është vjedhur nga një pushtet premtues që s’ka aftësi, as ide, as plan e as përkushtim për ta zhvilluar Kosovën”, ka shkruar Tahiri.

Qeveria Kurti.

Ai këtë largim e ka quajtuar fatkeqësi për Kosovën, ndërsa ka theksuar se trendi për kërkesat për viza është duke vazhduar.

“Kostoja e këtij produkti do jetë barrë për vendin me dekada. Është koha e fundit për të ecur me këmbë në tokë e për të reflektuar mbi shkaqet e këtij trendi e për të ofruar zgjidhje. Ose koha më e mirë për të lëshuar rrugë”.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, konsideron se të gjitha këto vinë si pasojë e trajtimit.

“Trajtimi që ju bëhet mjekëve, specialistëve dhe infermierëve, arsimtarëve, policëve e shërbyesve civilë duke i trajtuar me lëmoshë e jo si palë në ndërtimin e kushteve më të mira për punë e shpërblim adekuat, ndërsa në anën tjetër, pa kurrfarë dialogu social, pa vizion për investime dhe pa asnjë plan për të rinjtë dhe të rejat që studiojnë, janë vetëm disa prej faktorëve që i kontribuojnë kësaj fatkeqësie”.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë, është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind, sipas ASK-së.

Vitin e kaluar është rritur edhe inflacioni. ASK ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor, 2021, ka arritur në 6.9 për qind, nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore