Shqipëria

Kreditë e këqija, tregu dhe normat e interesit të fillimvitit 2023


Në vitin 2023, huadhënia ka nisur të bjerë edhe pse pritshmëritë janë për një rikuperim në muajt e tjerë në vazhdimësi.

Ky ndikim është i pranueshëm për sa kohë kredia është shtrenjtuar dhe kjo kosto e bankave tregtare duhet që të mbetet afatshkurtër.

Në të kundërt, vetë këto të fundit do të shënojnë fitimet më të ulëta duke rritur koston e shpenzimeve të operimit.

Kontratat e porositjes, në një publikim të fundit të Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit nga Banka e Shqipërisë, si brenda vendit dhe për eksport janë ulur gjatë 3 muajve të parë të vitit 2023.

Kurse prodhimi për tu shitur është në volume të mëdha, çka tregon për një gjendje stoku të produkteve dhe mungesa në likuiditete.

Po ashtu pritshmëritë për inflacionin janë në rritje dhe ngjashëm janë edhe rezervat e likuiditeteve që tregojnë një nivel në ulje të ndjeshme njësoj me vitin e kaluar.

Pas dekadash inflacioni të ulët dhe të qëndrueshëm, rritja e papritur dhe e përhapur e çmimeve të konsumit e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të shtrëngojë politikën monetare edhe kundër rrezikut në rritje të ngadalësimit ekonomik.

Ky i fundit sakaq, paraqet një kërcënim të qartë për tregun e pasurive të paluajtshme.

Përpara se të fillojë me korrigjimin e sjelljes ndaj tregut të banesave, referuar “AL TAX”, Banka e Shqipërisë – duke u koordinuar me institucionet që monitorojnë dhe ndikojnë me politikat rregullatore dhe fiskale – duhet të kryejë teste rezistence për bankat dhe institucionet e tjera financiare që kanë ekspozime të larta ndaj pasurive të paluajtshme.

Mundësisht të kërkojë provizione më të larta për kreditë hipotekore për ato që rezultojnë të cenueshme bazuar në rezultatet e analizave sipas testeve.

Ndërkohë, institucionet e qeverisë që po tregojnë situata pritshmërie deri në mosveprime duhet të zgjidhin edhe ngërçet e kahershme në reformat e filluara dhe te pambaruara ne vitet përpara.

Ndikimi i produktivitetit të dobët të reformave po jep ndikim edhe në përballimin e kostove të shtuara të bizneseve dhe individëve duke rritur riskun për rritjen e kredive të këqija apo me probleme.

Ndaj, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të forcojë inspektimet në vend dhe jashtë saj të bazuara në risk dhe të kryejë rishikime të fokusuara të cilësisë së aktiveve.

Përpjekjet e vazhdueshme për të rritur rezervat e kapitalit të bankave janë të nevojshme.

Kështu, sipas “AL TAX”, nevojitet programim me i dedikuar për monitorim dhe menaxhim të ngushtë të rreziqeve të mundshme nga rritja e fuqishme e kredisë në vitet e fundit, duke përfshirë rritjen e kreditimit në valutë.

Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të adresuar mangësitë e rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet kërkojnë një mbikëqyrje të zgjeruar të ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar.

Ndërkaq, kuadri i falimentimit dhe zgjidhjes tashmë në fuqi duhet të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë ristrukturimin e kredisë, për t’u përgatitur për çdo rritje të madhe të kredive me probleme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore