Kosova

Krasniqi uron Pavarësinë, viziton familjet e ish-krerëve të UÇK-së


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me fotografi nga vizitat që u ka bërë familjarëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht ndodhen në Hagë.

Vizitën tek familjarët e ish-krerëve të UÇK-së Krasniqi e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“15 vjet shtet! Nder e krenari që shënimin e datës historike të 17 Shkurtit, ta filloj me vizita te familjet e heronjve të luftës dhe të paqes, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë”.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke qenë pjesë e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, finalizuan përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, si dhe pas çlirimit vazhduan punën për të jetësuar ëndrrën tonë për shtet të pavarur e sovran, demokratik e të zhvilluar”, ka shkruar Krasniqi.

Ai është shprehur se misioni i tyre për t’i dal zot Kosovës mbetet i përhershëm.

“Kontributi i Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit nuk u kufizua në një etapë të vetme historike. Misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës ishte dhe mbetet i përhershëm. Ndonëse sot çlirimtarët janë larg familjeve të tyre dhe larg nesh në misionin e tyre për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, me mendje dhe me zemër ata i kemi përherë pranë”, ka shkruar Krasniqi.

Teksa ka thënë se është i lumtur që një pjesë të rrugëtimit të tij politik, e ka zhvilluar përkrah këtyre personaliteteve.

“Mirënjohje e respekt maksimal për punën e palodhur dhe angazhimin e pandalur të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së për Kosovën. Gëzuar Dita e Pavarësisë!”.

Një sërë ngjarjesh lanë gjurmë në historinë 15-vjeçare të Kosovës që nga anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare e deri tek mirëpritja e festivaleve dhe eventeve botërore.

Përpjekjet e Kosovës për Pavarësi, filluan tri dekada më parë, kur asaj iu hoq dhunshëm autonomia që gëzonte brenda Jugosllavisë së atëhershme.

Mundi dhe sakrifica për të shpallur Pavarësinë e Kosovës kishte nisur që nga viti 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore