Lajme

Krasniqi takohet me Kamberin e quan “patriot shembullor” të Luginës


Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në takim me Shaip Kamberin.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin.

Këtë e ka bërë të ditur Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai e ka falënderuar Kamberin për vizitën, duke thënë se zëri i tij do të jehojë guximshëm edhe këtë mandat në Kuvendin e Serbisë, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.

“Përtej pengesave e shantazheve, zëri i Shaip Kamberit, patriotit të pandalshëm e shembullor të Luginës, do të jehoj guximshëm edhe këtë mandat në Kuvendin e Serbisë, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve”.

“Faleminderit për vizitën e të priftë e mbara, mik!”, ka shkruar i pari i PDK-së.

Gjatë ditës Kamberi është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në takim me Shaip Kamberin.

Këtë e ka bërë të ditur Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, me të cilët ka thënë se ka biseduar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

“Me Shaipin, nënkryetaren Ardita Sinani, si dhe me bashkëpunëtorë të tjerë partiak nga PVD, biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale ndaj popullatës shqiptare atje”.

Ndryshe, është dashur të përsëriten plotë pesë herë zgjedhjet në Tërnoc të Luginës së Preshevës që Shaip Kamberi të rizgjedhet deputet i Kuvendit të Serbisë dhe zëri i shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përbërje legjislative atje.

Kamberi në garë ishte me Partinë Socialiste të Ivica Daçiç.

Raundi i pestë i votimeve është mbajtur me 30 qershor, kurse i pari ishte mbajtur me 3 prill.

Në Serbi analistë të pavarur kanë thënë se vetë shteti serb ka bërë manipulime të qëllimshme në këtë vendvotim, në mënyrë që të shtyhet sa më shumë formimi i qeverisë së re dhe marrja e obligimeve ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore