Lajme

Krasniqi, Selimi dhe Mustafa mbeten në paraburgim


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka marrë vendim që t’i ka vazhdohet masa e paraburgimit Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Një vendim i ngjashëm është marrë edhe ndaj Salih Mustafës nga trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia.

Vendimi për vazhdimin e paraburgimit është marrë pasi sipas gjykatës ekziston një rrezik i moderuar që të arratisen të njëjtit, ose të kryejnë vepra të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët, të cilët kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe duhet të paraqiten në Dhomat e Specializuara.

Për Mustafën, paneli ka konstatuar se vazhdon të ekzistoj rreziku që i akuzuari do të pengojë ecurinë e procedurës së Dhomave të Specializuara duke ndërhyrë me viktimat dhe dëshmitarët.

Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

ZPS-ja dorëzon listën e përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë në rastin Thaçi dhe të tjerët     

Gjithashtu, zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar edhe listën e përkohshme të 40 dëshmitarë të parë të saj në rastin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Në bazë të urdhrave, Zyra e Prokurorit të Specializuar (“SPO”) paraqet një listë të përkohshme të 40 dëshmitarëve të parë që do të thirren në gjyq dhe, si të rëndësishme për këta dëshmitarë, deklaratat që synon të kërkojë të pranojë në përputhje me Rregullën 154”, thuhet në shkresën e ZPS-së, raporton Betimi për Drejtësi. 

Gjithashtu është thënë se duke marrë parasysh natyrën e përkohshme të kësaj liste dhe fazën e procedurës, lista mbetet në shqyrtim dhe mund të nevojiten rregullime si për dëshmitarët ashtu edhe për deklaratat.

Më 3 nëntor, dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bërë të ditur se bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake, të datës 22 korrik 2022 dhe 29 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Më 29 shtator, gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, ku akuzohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ka miratuar kërkesën e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.

Duke kujtuar se ZPS-ja ishte urdhëruar më parë që të ndryshojë aktakuzën aktuale deri më 30 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, në interes të efikasitetit, urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila ende mbetet për t’u dorëzuar brenda afatit të njëjtë.

“Në interes të efikasitetit, ZPS-ja kërkon një orar të përshpejtuar për të mundësuar ngritjen e një aktakuze tjetër të ndryshuar deri në afatin e 30 shtatorit 2022 që përfshinë gjithashtu çdo ndryshim të autorizuar si rezultat i kësaj kërkese”, thuhej në njoftim.

“Sa i përket kërkesës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake vëren se afati për dorëzimin e përgjigjeve në kërkesë ka kaluar dhe as mbrojtësi përkatës i të akuzuarit dhe as mbrojtësi i viktimave nuk kanë dorëzuar përgjigje”.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale, Hagë

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore