Lajme

Krasniqi – Qeverisë: Çfarë krimesh potenciale jeni duke mbrojtur me insistimin kundër hetimit parlamentar?


Memli Krasniqi

Mos mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për miratimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e krizës energjetike, Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si shkelje brutale e së drejtës kushtetuese për hetim parlamentar për të mbikëqyrë punën e qeverisë dhe institucioneve nga ana e Kuvendit.

“Kurti përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për herë të dytë e ka bllokuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me krizën energjetike në vend duke shkelur hapur ligjin dhe kushtetutën, që gjë fatkeqësisht është bërë edhe traditë e veprimit të kësaj qeverie”, ka thënë në një konferencë për media Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.

Arroganca e numrave të pushtetit sipas Krasniqit nuk do të mund që ta mbajë të fshehur të vërtetën e çështjes së krizës energjetike, e cila duhet të dalë në dritë.

“Çfarë shkeljesh e çfarë krimesh potenciale janë duke i mbrojtur me këtë insistim kundër hetimit parlamentar, pse Kryeministri po e pengon hetimin e rastit të faljes së mbi 100 milionë eurove taksa qytetarëve për KEDS-in, pastaj hetimin e rritjes së paligjshme të tarifave të energjisë elektrike nga ana e ZRRE-së”, ka shtuar ai.

I pari i PDK-së tha se mazhoranca ka rrënuar çdo parim që kanë pasur si LVV, por ata si PDK nuk do të lejojnë që të rrënojnë parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin tonë.

“Pushteti i Kurtit mund ta vonojë këtë proces, por nuk mund ta ndalojnë. Ky hetim do të ndodh dhe veprat penale potenciale që kanë mundur të ndodhin që janë subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që do ti heshtim por do të përdorim çdo mjet demokratik e ligjor për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për ti dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin”, tha Krasniqi.

Adnan Rrustemi dhe Mimoza Kusari – Lila në një konferencë për media

Ndryshe lidhur me këtë çështje, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje përmes një konference të jashtëzakonshme për media, pak orë më parë ka deklaruar se ata kanë refuzuar të bëhen pjesë e kësaj vendimmarrjeje, pasi sipas tyre një komision i tillë në formatin në të cilën është propozuar, shkel mbi normat e ligjit për hetime parlamentare.

Megjithatë, sipas shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, LVV nuk ka asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.

Edhe për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, LVV është për komisionin hetimor në fjalë, por në përputhje me ligjin dhe kushtetutën e Kosovës.

“Ligji për hetim parlamentar edhe fryma e Kushtetutës kur flet për komisione hetimore parlamentare thotë se përcaktuesi i kriterit të përbërjes dhe kryesimit të komisionit hetimor është politik jo individual, të gjitha ata deputetë që kanë nënshkruar kërkesën janë iniciues të saj, rrjedhimisht asnjë deputetë që ka nënshkruar kërkesën për themelimin e komisionit nuk mund të jenë kryesues të tij”, ka thënë Rrustemi kështu duke e qartësuar pozicionin e partisë së tij se pse ajo ka refuzuar ta mbështes një komisionin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore