Lajme

Krasniqi: Policia e Kosovës pa paga dinjitoze, mbetet njëri ndër institucionet më të shquara


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se ndonëse nuk kanë kushte të favorshme të punës e pa paga dinjitoze, mbetet një ndër institucionet më të shquara në shërbimin e sigurisë për secilin.

“Aktualisht, Policia jonë, ndonëse me kushte jo të favorshme të punës, e pa paga dinjitoze, mbetet një ndër institucionet më të shquara që ofron shërbim e siguri për secilin, pa dallim”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Krasniqi ka shkruar se do t’u janë përherë mirënjohës Policisë së Kosovës.

“Respekt për punën dhe angazhimin e mijëra grave e burrave që ndër vite kanë vendosur të shërbejnë në Policinë Kosovës, duke ju përmbajtur me dinjitet vizionit, misionit dhe vlerave të këtij profesioni fisnik. Përherë mirënjohës!”.

Të martën e 6 shtatorit, Policia e Kosovës shënoi 23 vjetorin e themelimit të saj.

Përmes një ceremonie të organizuar morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla të cilët shfrytëzuan rastin t’i urojnë policët por edhe të kërkojnë nga ta që të rrisin kapacitetet.

Osmani gjatë kësaj ceremonie uroi të gjithë pjesëtaret e saj, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Policisë në Interpol.

“Policia e shtetit tonë me të gjitha segmentet e saj, përbëjnë jo vetëm njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetit, por edhe njërën nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të qëndrueshme, besueshmëria e së cilave ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e qytetarëve tanë”.

E para e vendit ka shfrytëzuar rastin të kujtoj edhe policët që kanë rënë gjatë detyrës së tyre.

“Kujtojmë policët që kanë rënë në detyrë si Enver Zymberi. Policia është kujdesur që kufijtë të mbrohen e mbikëqyren. Ne bëhemi faktor për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtarë. Anëtarësimi në Interpol është shumë i rëndësishëm”.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka apeluar tek policia që të jetë në nivelin më të lartë të detyrës në çdo rrugë e çdo cep të vendit.

“Mbani përgjegjësi detyrat tuaja ashtu siç edhe ne si qeveri mbajmë përgjegjësitë e tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar, trasoni rrugë që janë lehtësisht të kalueshme për të gjithë”.

Gjatë fjalimit të tij ai ka përmendur edhe rastin e fundit të 11-vjeçares së dhunuar.

“Javën që shkoj ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë. Një vajzë e mitur që do të duhej të ishte në bankat shkollore në klasën e pestë ose 6 ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga 5 dhunues”, deklaroi Kurti.

Në vitet e fundit Kosova ka aplikuar dhe synon të bëhet anëtare e UNESCO-s, INTERPOL-it, Këshillit e Evropës e organizata të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore