Lajme

Krasniqi për ndalimin e pagave: Ky mentalitet nuk është parë në Kosovë që nga koha e Millosheviç’it


Memli Krasniqi dhe Albin Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka reaguar ndaj vendimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili sot kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai po e drejton nuk i ka ndarë pagat e muajit gusht grevistëve.

Sipas tij, vetëm një qeveri e paaftë, mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare, sidomos kur vendi po përballet me një krizën ekonomike për shkak të inflacionit enorm, reduktimeve të ashpra të energjisë, rritjes masive të çmimeve, papunësisë në rritje, ikjes së të rinjve dhe mungesës së investimeve publike.

Për Krasniqin, në vend se Qeveria e Kosovës të fokusohet për të përmirësuar jetën e shërbyesve civil, ajo po luan rolin e ndëshkuesit, me të cilin regjimi i Albin Kurtit po demonstron vullnetin për t’u hakmarrë ndaj atyre që refuzojë t’i nënshtrohen dhe të mbyllin gojën përballë kësaj situate të rëndë.

“Sot, ministri i financave do të duhej të dilte me masa ekonomike e iniciativa konkrete për t’ua lehtësuar të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë, ballafaqimin me depresionin ekonomik që vetëm po rritet”, ka shkruar ai në Facebook.

Zgjidhja gjithë në këtë mesë sipas Krasniqit, është dialogu jo hakmarrja.

“Fytyra e qeverisjes së Kosovës së pavarur e demokratike nuk duhet të jetë qeverisja depresive e represive. Qeveria duhet që të përmbushë obligimet ndaj mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë si dhe të lejë anash këtë logjikë shantazhi e revanshi. Kjo situatë kërkon masa lehtësuese për gjendjen, jo masa ndëshkuese për mësuesit”, ka shtuar ai.

Çka ndodhi?

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka shtuar ai.

Murati ka mohuar se dikasteri të cilën ai e drejton ka kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Murati: Shkaku i grevës në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore