Lajme

Krasniqi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: Dëshmuam se ju shërbejmë interesave të qytetarëve


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pas vendimit të Gjykatë Kushtetuese për ta shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke thënë se Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë dhe se ju shërbejmë interesave të qytetarëve.

“Partia Demokratike e Kosovës edhe njëherë dëshmoi se ju shërben interesave të qytetarëve e të shtetit tonë, duke mbrojtur rendin kushtetues përkundër tentativave të Qeverisë Kurti për ta shkelur atë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Tutje, kreu i PDK-së tha se vendimi i Kushtetueses na dha të drejtë, dhe se dështuan përpjekjet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta vënë në kontroll këtë institucion.

“Edhe sot, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke e shpallur si anti-kushtetuese përpjekjen e Kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll dhe për ta cënuar integritetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, shtoi ai.

Ndërkaq, Krasniqi potencoi se Kushtetuta duke qenë bazament i parimeve të drejtësisë, “nuk mund dhe nuk do të lejojmë kurrë që të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit”.

“Ngjashëm si në këtë rast, do ta kundërshtojmë secilën nismë qeveritare që synon t’ia nënshtrojë të drejtën diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti”.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

E gjithë kjo ka ardhur pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e partive opozitare, respektivisht ligjvënësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.

Në këtë njoftim thuhet se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ndryshimi i Ligjit për KPK-në, parashihej që të ndërronte mënyrën e funksionimit të Këshillit Prokurorial, por gjithashtu edhe përbërjen e këtij këshilli.

Vendimi i Kushtetueses, tregon se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore