Lajme

Krasniqi pas takimit me Këshillin e grevistëve: Nuk ka vend për qasje diktatoriale në Kosovë


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kreu i BSPK-së, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi pas takimit me kryetarin e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarur të Kosovës, Rrahman Jasharaj dhe nënkryetarin e Këshillit Grevist, Ali Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka mbyllur dyert e shkollave.

“Dyert e shkollave në Kosovë i ka mbyllur Albin Kurti, ai e ka pasur mundësi që të dialogë që të gjendet zgjedhje. Mosekzekutimi i pagave është vepër penale. Nuk ka të drejtë askush ti ndalë pagat”.

Sa i përket takimit, Krasniqi theksoi se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje është i qartë.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë, dialogu social nuk duhet të ketë alternativ sepse vetëm përmes dialogimit duhet të gjejmë zgjidhje. Nuk ka vend për qasje diktatoriale në Kosovë. Nuk mund të sillet qeveria ndaj mësuesve me këtë arrogancë të paparë ndonjëherë në vendin tonë”.

Rrahman Jasharaj dhe Ali Gashi. Foto: Ekonomia Online.

Sipas Krasniqit, mosekzekutimi i pagave është vepër penale ndërsa ka paralajmëruar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

“Patëm një takim me sindikalistët, ishte një takim që diskutuam për situatën e rëndë, ishte një diskutim për kërkesat legjitime dhe qëndrimi ynë është i qartë dialogu social nuk ka alternativë. Qasja e Qeverisë është e papranueshme, nuk ka vend për qasje autoritare, nuk mund të sillet Qeveria kështu me arrogancë, mësimdhënësit janë”.

“Qeveria t’i kthehet dialogut, dhe t’i ekzekutojë pagat, nëse një gjë e tillë ne do të iniciojmë seancë të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera. Kurti nuk ka me guxuar me kthyer Kosovën në diktaturë, as nuk do ta lejojmë”.

Ndërkaq, Jasharaj u shpreh se kërkesën për takim u kanë dërguar të gjitha partive ai sërish ka kërkuar nga pushteti takim për të gjetur zgjidhje.

Edhe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, këtë të premte ka zhvilluar një takim me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, me ç’rast ka deklaruar se dialogu mes Sindikatave dhe Qeverisë së Kosovës është imperativ.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore