Krasniqi paralajmëron mbylljen e komunave paralele në Graçanicë e Skenderaj: S’ka vend për institucione të Serbisë

SHFLETO

Elbert Krasniqi

 

Dini Fetahu
18.09.2024 19:34
Loading Icons...

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka paralajmëruar mbylljen e komunave paralele të Serbisë në Graçanicë dhe Skenderaj, pasi që ka thënë se nuk ka vend për institucione paralele serbe në territorin e Kosovës.

Këto komente, Krasniqi i ka bërë në një intervistë për “T7”, pas mbylljes së pesë ndërtesave të komunave ilegale serbe në katër komunat Veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok – për çka qeveria u kritikua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nuk ka vend për institucione paralele të Serbisë në territorin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Sa i përket mbylljes së komunës paralele në Graçanicë – komunë e banuar me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës – ministri nuk dha një datë konkrete, por vetëm insistoi se e njëjta do të mbyllet.

“Nuk e di me datë se kur do mbyllet, por mund të iu them që ajo do të mbyllet. Një zyre paralele është edhe dikund në Skenderaj – edhe ajo do të mbyllet. Cka dua të them është se pas rajonit të Prizrenit kur janë mbyllë disa komuna në Dragash, asaj në Klinë, Pejë e Istog radha ka ardhur të këto katër komunat Veriore dhe te Qarku i Mitrovicës”, shtoi.

Që të gjitha do të mbyllen për shkak se, siç potencon Krasniqi, “në territorin e Kosovës nuk ka mundësi të ekzistojë një komunë paralele”.

“Ne kemi një Kushtetutë, ka ligje, është ligji për vetëqeverisje lokale i cili përcakton se si formohet një komunë, si duhet të funksionojë një komunë dhe çfarë duhet të përmbajë një komunë”.

E këto që janë duke u mbyllur e do të mbyllen, ai pohoi se janë në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe “do të mbyllen që të gjitha”.

Më 30 gusht, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për mbylljen e pesë objekteve të komunave paralele serbe në Veri të vendit.

Ky aksion ishte kritikuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, madje ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kishte akuzuar qeverinë se po e “instrumentalizon” policinë.