Lajme

Krasniqi: Pa luftë populli i Kosovës s’do e fitonte lirinë


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasi ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz ka thënë se pa luftë populli i Kosovës nuk do ta fitonte lirinë.

“Në këto data të cilat kanë shënuar kthesën më të madhe në historinë e re të Kosovës, jo vetëm duke e zgjuar vëmendjen e gjithë botës, por edhe duke e vëmendjen e gjithë kombit tonë dhe duke e vulosur një të vërtet që pa një kryengritje dhe një luftë të armatosur, populli i Kosovës nuk do të fitonte lirinë”, tha Krasniqi.

Ai ka theksuar se në Prekaz Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori forcën që e kërkonte për t’u bërë udhëheqëse e çlirimit të Kosovës dhe për të krijuar pastaj rrugëtimin deri ta pavarësia e vendit tonë dhe shtetit që e kemi sot.

“Kurdoherë që vijmë këtu në Prekazin e lavdisë së përjetshme, e veçanërisht në datat 5, 6 dhe 7 mars me nder dhe përulje e përkujtojmë luftën titanike dhe sakrificën sublime të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes së tij”.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka potencuar se datat 5,6 dhe 7 mars janë data të shënuara në themelet e lirisë dhe shtetit tonë.

“24 vite më parë Drenica, Prekazi u rrethuan nga forcat serbe, ata mbrojtën pragun e shtëpisë së tyre dhe kështu mbrojtën dhe përpjekjen tonë për liri dhe për çlirim”, tha Abdixhiku.

“Sot 24 vite më pas ne nderojmë familjen Jashari, burrat, gratë dhe fëmijët e kësaj familje si një shenjë e jashtëzakonshme e sakicës sublime në altarin e lirisë”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se Prekazi është vendi ku ka ndodhur kthesa për shqiptarët.

“Jemi në nderim në Prekaz, në vendin ku ka rënë Komandanti Legjendar, Adem Jashari, familja Jashari, në vendin ku ka ndodhur kthesa për shqiptarët, pra kthesa e lirisë”, tha Haradinaj.

“Jemi në vendin e shenjtë të shqiptarëve, do të vijmë çdo herë, do të përulemi me respekt, të vetëdijshëm se sa e shtrenjtë është liria, poashtu do të kujdesemi që të veprojmë, mbrojmë dhe forcojmë lirinë dhe Kosovën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore