Lajme

Krasniqi takohet me Kovaçevskin, diskutojnë për zhvillimet politike në rajon


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut është takuar me Kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.

Me kreun e qeverisë maqedonase, Krasniqi ka diskutuar për zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon dhe Evrope, ku mes tjerash, e ka uruar atë edhe për 31 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministrit Kovaçevski i urova 31 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Po ashtu e falënderova për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka deklaruar se hapja e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian është lajm i mirë edhe për Kosovën.

“Me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë – e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë”.

Shefi i PDK-së theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë bashkëpunimin ndërfqinjësor në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik.


Krasniqi në Maqedoninë e Veriut, së pari takohet me Grubin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vendosur që vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ta nis me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi.

Kreu i PDK-së e ka uruar Grubin për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe kanë diskutuar për rolin e faktorit gjeopolitik të shqiptarëve në rajon.

“Bashkë diskutuam edhe për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët po dëshmojnë se janë përcaktues me kontributin e tyre në secilin proces pozitiv institucional”, shkroi ai në rrjetin e tij social Facebook.

Krasniqi theksoi se bashkëpunimi i shkëlqyer mes të dyja vendeve do të vazhdojë.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sikur deri sot, do të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer fqinjësor, mirëkuptimin e ndërsjellë në përballimin e sfidave dhe proceset me interes të përbashkët”.

Para këtij takimi, Krasniqi fillimisht ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Universitetin Amerikan të Evropës në Shkup, ku euro-deputeti bullgar Ilhan Kyuchyuk është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore