Lajme

Krasniqi, Kurtit: Ti nuk di të sillesh normal, ti do konflikt – je njeri i tensioneve


Memli Krasniqi

Në Kosovë ekziston problemi me grevistë, sepse kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk dëshiron të gjejë zgjidhje, por dëshiron konflikt, ka thënë lideri i opozitës, Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Më duhet ta them se krejt leximin e situatës ti e ke konceptuar jo normalisht dhe kjo po na sjellë në një element tjetër tek modeli yt i qeverisjes”, tha Krasniqi në seancën parlamentare ku po diskutohet greva e sindikatave të bashkuara që ka lënë fëmijët pa filluar mësimin me 1 shtator.

“I ke fituar zgjedhjet me mbi 50 për qind, por ka dy rrugë qysh një udhëheqës e përjeton një mbështetje të tillë: si përgjegjësi ose si paternalizëm, po ta kishe kuptuar si përgjegjësi, sot do flisnim për projekte zhvillimore jo për greva”, deklaroi kryetari i PDK-së.

Krasniqi gjate fjalimit te tij ne Parlament

“Ti e ke kuptuar si paternalizëm. Kushdo thotë në Kosovë që ka problem;, për ty është ose është i korruptuar, ose zhvatës, ose sabotator, ose ta do të keqën ty e Kosovës”.

“Po, s’është kështu”, shtoi Krasniqi. “S’ka qenë kurrë as nuk do jetë në të ardhmen. Kjo është e drejtë demokratike s’mund të shuhet nga askush”.

“Por, ty nuk të intereson zgjidhja, por konflikti, ti je njeri i tensioneve, e ke problem të sillesh në situatë normale. Megjithatë, njerëzit po kërkojnë normalitet, jo konspiracion, jo fantazi”.

“Dil prej krizave, mos u fut në kriza të reja”, kërkoi Krasniqi nga Kurti.

“Dëshiron të dëshmohesh si patron, që e thotë të vërtetën absolute. Duke ndjekur këtë qasje e ke krijuar precedentin më të rëndë në Kosovë. Prindërit e mësimdhënësit do të duhej t’i bëje bashkë e jo ti përçaje. E ke sulmuar Rrahman Jasharajn. duke e quajtur edhe bashkëpunëtor të Serbisë. Në vend se të vendosje në qendër problemin, e ke bërë problem Rrahman Jasharajn”.

“Lëri shpjegimet, gjej zgjidhje. Ti e ke ndarë vetën nga qytetarët. Ty edhe të pëlqen pushteti, por më e drejtë do të ishte të pëlqente qeverisja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore