Kosova

Krasniqi: Formimi i Ushtrisë së Kosovës është meritë e Thaçit dhe Veselit


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin e tre vjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ka deklaruar se formimi i kësaj ushtrie është meritë edhe e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Ushtria jonë, që çdo ditë po e dëshmon veten me nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe përvetësimit të standardeve të NATO-s, nuk do të ishte e tillë pa insistimin dhe vendosmërinë për formimin e saj edhe të dy liderëve tanë historikë Kadri Veselit, atëherë kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-Presidentit Hashim Thaçi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje Krasniqi, ka thënë se formimi i ushtrisë është njëri ndër momentet më të rëndësishme për Kosovën.

“Tri vite më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi legjislacionin për shndërrimin e Forcës së  Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës  Pas shpalljes së pavarësisë, ky proces ishte momenti më i rëndësishëm në forcimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës”.

Ushtria e Kosovës

Ai shtoi se, “ushtria e Kosovës është krenaria jonë e përhershme!”.

Më 14 dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim, pati miratuar tri ligjet që e ndryshonin mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të Kosovës.

Ligjet që u miratuan janë, Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kishin kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës dhe paralajmëronin se vendimin e kuvendit për ushtrinë do ta dërgonin në Gjykatën Kushtetuese.

Ushtria e Kosovës

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësonin si “një  ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”.

Mbështetje Parlamentit të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri përmes ligjeve, i dhanë dy ish-ambasadorët në Kosovë, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore