Lajme

Krasniqi: Asociacioni të themelohet veç si pjesë e marrëveshjes finale, Kurti është peng i të kaluarës së tij


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se partia që ai drejton, nuk e mbështet në asnjë mënyrë kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë jashtë marrëveshjes finale me Serbinë.

Ai tha se e vetmja mënyrë është që Asociacioni të themelohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tij, duhet të përfshijë dhe njohjen e ndërsjelltë sepse një marrëveshje finale, pa njohjen e ndërsjelltë, nuk ofron stabilitet për Kosovën.

“Për të gjitha çështjet ne pajtohemi që nuk duhet të ketë një ndarje të Asociacionit nga dialogu dhe nga marrëveshja. Absolutisht jo. Ne nuk e mbështesim në asnjë mënyrë kërkesën që Asociacioni të jetë i ndarë prej marrëveshjes së përgjithshme”, tha ai.

Gjatë intervistës kreu i PDK-së kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mungesë të koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar qëndrimin Kurtit mbi Asociacionin, një kauzë false, me të cilën erdhi në pushtet, e që vazhdon ta mbajë peng.

“E vërteta është se zoti Kurti, në kohën kur ishte në opozitë, duke ndërtuar kauzë të rrejshme për Asociacionin, ka krijuar jo vetëm mbijetesën, por edhe rritjen e tij politike, e cila e ka sjellë edhe në zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Dhe sot ai është peng i të kaluarës së tij nga e cila nuk po mund të lirohet”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se nga takimet që ka pasur në Uashington këto dy ditë, në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Mbrojtjes, nuk ka pasur një kërkesë të tillë që çështja e Asociacionit dhe “marrëveshjes finale” të jenë të ndara.

“Kërkesa është që Kosova të luajë një rol më proaktiv, që qeveria të ndërmarrë detyrimet që ka, që klasa politike të jetë e angazhuar vërtet dhe unë besoj që e vetmja rrugë është kjo, që të kemi një qartësi dhe të kemi koordinim dhe një partneritet të vërtetë edhe në këtë çështje, me SHBA-të”, nënvizoi ai.

Ndryshe, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, të martën e 31 janarit organizoi një diskutim të mbyllur me përfaqësuesit e shoqërisë civile, institucioneve kosovare dhe partitë parlamentare për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në të cilin Kurti personalisht nuk ishte i ftuar.

Ky takim i organizuar në Ambasadë ka ardhur në një kohë kur është intensifikuar kërkesa amerikane për themelimin e Asociacionit si parakusht për vazhdimin e negocimit dhe potencialisht arritjen e një marrëveshje bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore