Zgjedhjet në Kosovë

KQZ: “Të hënën numërohen votat me kusht”


Numërimi i votave nga Qendra e Numërimit dhe rezultateve - QNR

Votat me kushte dhe ato të personave me aftësi të kufizuara, nga zgjedhjet e 17 tetorit, do të numërohen këtë të hënë.

Kështu ka planifikuar Komisioni Qendror Zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar se ky proces mund të monitorohet edhe nga mediet.

“Gjatë ditës së sotme planifikojmë të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen paraprakisht për orën e fillimit të numërimit”, ka deklaruar Elezi.

Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, të dielën mbrëma ka përfunduar numërimi i votave me postë.

Të dielën përfundoi procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora, për zgjedhjet lokale në raundin e parë.

Në fillim të numërimit të tyre, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi njoftoi se gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime.

Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime.

“Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore”.

“Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200)”.

“Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga perosna të njëjtë (168), etj.”, kishte deklaruar Elezi.

Nga rezultatet e publikuara na QNR, shumica e votave të diasporës në raundin e parë të zgjedhjeve kishin ardhur për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

LDK mori 3164 vota nga mërgata, kështu duke u bërë partia më e votuar për nga votat që erdhën nga jashtë vendit.

“LDK-ja, partia më e votuar nga mërgata. Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë votuar më së shumti nga mërgata jonë”, shkroi LDK në faqen e tyre në Facebook.

“Falënderojmë mërgatën tonë anekënd botës për mbështetjen. LDK, për të gjithë!”.

Ndërsa për kandidatë rezultatet ishin ndryshe.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, mori edhe 231 vota më shumë.

Ndërkaq mëse pesë herë më pak sa i përket votimeve nga diaspora mori Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai mori 52 vota nga fletëvotimet e ardhura prej jashtë vendit.

Kandidati i Partisë Demokratike të Prishtinës, Uran Ismajli arriti të shtojë votën e tij për vetëm 23 vota, ndërsa ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, vetëm 9 vota.

Nga këto vota të pakëta të mërgatës edhe më pak mori kanditati i Aleancës Kosova e Re, Gëzim Mehmeti. Për të u postuan vetëm 3 vota.

Në raundin e dytë për të parin e Komunës së Prishtinës garojnë Arben Vitia dhe Përparim Rama.

Arben Vitia në rezultatet preliminare arriti i pari për nga më i votuari me 42,26% të votës së përgjithshme, ndërsa Pëparim Rama mori 29,34% të votave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore