Lajme

KQZ shpallë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë


Ilustrim

Këtë të enjte pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Kështu ka thënë për Albanian Post, Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, teksa ka shtuar se publikimi i tyre do të bëhet rreth orës 10:00.

“Mund t’ua konfirmoj se rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale për Kryetarë të Komunave do të shpallen të enjten, në orën 10:00”, është shprehur Elezi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi

LDK e para në Kosovë

Në zgjedhjet lokale Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas publikimit të kryetarit Lumir Abdixhiku, doli e para për nga numri i votave me gjithsejtë 170 mijë e 177 vota.

Abdixhiku, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, të mërkurën ka thënë se “rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne”.

“Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, të rregullta, të mërgatës e me kusht, i falënderoj të 170,177 votuesit e LDK-së, që me besimin dhe mbështetjen e tyre, vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë – me më së shumti vota – në zgjedhjet e 17 tetorit”, ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

“Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare. Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër”, shtoi ai.

Po ashtu, Abdixhiku ka thënë se puna e tyre vazhdon edhe më tej në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Ndërkaq, rezultatet përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit pritet të shpallen të enjten e 28 tetorit.

Ankesat

Megjithatë, rezultatet preliminare nuk u pritën mjaft mirë nga të gjithë kandidatët të cilët i ishin futur garës për kryetarë të komunave.

Ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kishte bërë Rufki Suma, kandidat i pavarur, për kryetar komune në këtë qytet, ku ndër të tjera ai kishte paraqitur një CD me disa video ku kandidati për kryetar komune të PDK-së, Mehmet Ballazhi, është parë duke vizituar të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

Ai kishte kërkuar të bëhet rivotim në këtë komunë.

Por, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të anulojë vendimin e PZAP-së, për “rivotim ne Han të Elezit”, duke e kthyer në fuqi rezultatin e zgjedhjeve të 17 tetorit.

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kandidati i PDK-së për Kryetar Komune, Mehmet Ballazhi kishte fituar 2.485 vota, ose 50.98%, ndërsa i dyti kishte dalë, kandidati i pavarur, Rukfi Suma me 2.070 vota, ose 42.47%.

Suma i cili udhëhoqi me Hanin e Elezit për tri mandate, si kandidat i pavarur. Udhëheqjen e kësaj komune për herë të katërt ai e humbi për 415 vota më pak.

Supremja i ka hedhur poshtë si të pabazuara ankesat e Listës së Pavarur të Bekim Jasharit, për blerje të votave në zgjedhjet e 17 tetorit nga ana e Partisë Demokratike e Kosovës – që arriti të dalë e para në komunën e Skenderajt.

Bekim Jashari, ish- kryetar i Skenderajt

Bazuar në njoftimin e gjykatës, njëra nga ankesat e kësaj partie kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa “është hedhur si e palejuar”.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lista e Pavarur Bekim Jashari, me seli në Skenderaj”, thuhej në njoftimin e zyrës për media të Gjykatës Supreme.

Balotazhi mbahet më 14 nëntor

Raundi i dytë i komunave që kanë shkuar në balotazh zhvillohet më 14 nëntor.

Nga zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i komunave, 38 gjithsejtë, 17 komuna kanë shënuar fitore të partive politike dhe 21 të tjera do të vazhdojnë garën në raundin e dytë.

Komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj.

Në komunën e Deçanit ka fituar AAK, në Mitrovicën Jugore- PDK, në Leposaviç – Lista Serbe, në Lipjan – LDK, në Zubin Potok – Lista Serbe, në Zveçan – Lista Serbe, në Hani të Elezit -PDK, në Graçanicë – Lista Serbe, në Ranillug – Lista Serbe, në Partesh – Lista Serbe, në Mitrovicën e Veriut – Lista Serbe, dhe në Skenderaj -PDK.

Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore