Zgjedhjet në Kosovë

KQZ publikon listat e kandidatëve, VV pa numrin 1


Është hera e parë në Kosovë që një parti politike garon për zgjedhje pa bartësin e listës.

Në prag të hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, ka publikuar listat e kandidatëve të partive politike, të pastruara nga emrat e personave të cilët kanë rënë ndesh me ligjin në Kosovë.

Kështu Vetëvendosje, kësaj here garon pa prijësin e listës, Albin Kurtin.

Edhe pse në listën e KQZ-së emri i parë figuron ai i Vjosa Osmanit me numrin 2, këshilltari i ish-kryetares së Kuvendit, Bekim Kupina, menjëherë pas publikimit së listave të martën në mbrëmje, ka reaguar me një status në Facebook duke potencuar se bartës i listës së përbashkët zgjedhore mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, vazhdon të jetë Albin Kurti.

“Zonja Vjosa Osmani në listën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje e mbanë numrin 2. Ndërkaq kandidat i kësaj Liste për Kryeministër dhe bartës i saj është z. Albin Kurti. Çfarëdo lajmi tjetër për të bërë sensacion medial është i pavërtetë!”

Pas heqjes së emrave të kandidatëve të cilët kanë kryer vepra penale, Vetëvendosje garon me 3 emra më pak se sa do të duhej të kishte lista e plotë zgjedhore prej 110 kandidatëve.

Përveç Albin Kurtit, mungon edhe Albulena Haxhiu e Bajram Mavriqi.

Më keq se Vetëvendosje e pësoi Nisma Socialdemokate, të cilës PZAP (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa) nuk i ka certifikuar 12 deputetë, pas kërkesës së KQZ-së.

Këto dy parti nuk i zëvendësuan emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pavarësisht faktit se PZAP dhe KQZ ua kërkuan një gjë të tillë më 20 janar.

Nëntë ditë më vonë, Vetëvendosje dhe Nisma u ankuan për vendimin e PZAP-së në Gjykatën Supreme.

Kjo e fundi ua refuzoi kërkesat, duke fuqizuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që emra të cekuar që kishin problem me ligjin në tre vitet e fundit, të largohen nga listat zgjedhore.

Më 3 janar të vitit 2018, deputetët e atëhershëm të Vetëvendosjes Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Po atë vit, në muajin Shtator, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shkallës së parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore