Lajme

KQZ pranon 332 pako me fletëvotime nga diaspora për Dragashin


Ilustrim: Pakot me fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar deri tani 332 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë, për përsëritjen e votimit nga diaspora për rundin e dytë të zgjedhjeve të komunës së Dragashit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se fletëvotimet do të pranohen më së largu deri më 13 dhjetor.

“Deri më tani, KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor”, deklaroi Elezi.

Ndërsa, ka thënë se të drejtë të votës kanë vetëm një mijë e 90 votues nga diaspora.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”.

Më 25 nëntor, gjykata Supreme ka vendosur për rivotim të diasporës nga Dragashi.

Kështu është bërë e ditur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numërimit të votave me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore