Kosova e Shqipëria me marrëveshje për ngritjen e standardeve zgjedhore

Marrëveshja e nënshkruar të premten mes KQZ-së së Kosovës dhe Shqipërisë synon rritjen e eficiencës së punës dhe modernizimin e të gjithë aspekteve të organizimit, menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve.
SHFLETO
Sahide Brati
27.09.2024 15:51
Loading Icons...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në Prishtinë.

Siç njoftohet, në emër të dy institucioneve kanë nënshkruar Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Marrëveshja ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, në funksion të rritjes së eficiencës së punës dhe modernizimit të të gjithë aspekteve të organizimit, menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën për media.

Me synim që të bëhet rritja e standardeve të proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe Kosovë, dy institucionet në fjalë u pajtuan për mbështetje “me ekspertizë, asistencë teknike dhe logjistike lidhur me votimin nga jashtë, teknologjinë zgjedhore dhe financimin e partive politike”.

Aty theksohet se do të shkëmbehen edhe praktikat më të mira të strategjive të ndjekura për edukimin e votuesve.

Dy KQZ-të theksohet se do të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën për pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare me ekspertizë zgjedhore si dhe në aktivitetet e organizuara prej tyre.