Shqipëria

KQZ: Gati pajisjet për identifikimin elektronik


Identifikimi elektronik i votuesve është gati dhe pajisjet që do të kryejnë procedurën janë prezantuar për herë të parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Procesi i votimit të një individi zgjat vetëm një minutë tashmë”, deklaroi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. “Kjo shkurton kohën e qëndrimit në qendrat e votimit ndjeshëm”.

Sipas Nënkomisioneres, Lealba Pelinku, “identifikimi i votuesve është i garantuar dhe askush nuk mund të hedhë një fletë votimi dy herë në qendra të ndryshme”. Kjo, pavarësisht faktit se sistemi nuk është i lidhur online.

“Sistemi e mundëson këtë gjë pasi çdo pajisje, ka të regjistruar vetëm votuesit e zonës zgjedhore. Nëse dikush paraqitet aty ku nuk është regjistruar, personi ridrejtohet në qendrën e duhur zgjedhore”.

Pajisja identifikon fillimisht letërnjoftimin ose pasaportën e votuesit. Më pas, personi duhet të vendosë shenjën e gishtit për të pasur konfirmim të identitetit. Një kupon me fotografinë dhe të dhënat e votuesit del më pas nga pajisja, duke e cilësuar të përfunduar procesin e regjistrimit përpara votimit.

Në mes të muajit mars do të procedohet edhe me detajet e fundit që kompania fituese e projektit do të paraqesë për përmbylljen e sistemit.

Për sa i përket votimit elektronik, projekti pilot do të shtrihet në 20% të vendit. Celibashi bëri me dije se një nga zonat zgjedhore, do të jetë në Tiranë. “Me shumë mundësi, njësia 8 do të jetë e përzgjedhura për Tiranën, ku do të votohet elektronikisht”.

Kjo do të jetë hera e parë ku teknologjia aplikohet në një proces votimi në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore