Shqipëria

KQZ, COVID-19 problem edhe për votën e 25 prillit


Anëtari i Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Dritan Caka, deklaroi për Albanian Post se për sa i përket votës së qytetarëve, të cilët janë të karantinuar për shkak të COVID-19, nuk ka ende një zgjidhje përfundimtare se si do të votojnë. Ai pohoi se aktualisht po shqyrtohen të gjitha mundësitë.

Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ saktësoi se një ndër shembujt që po shqyrtohet është edhe rasti i Kosovës. Caka pohoi se po komunikohet vazhdimisht me këto institucione, edhe pse ende nuk ka asnjë draft apo zgjidhje përfundimtare se si do të veprohet.

“Kosova na dha një opsion, por kuptohet që nuk është e thënë që opsioni që përdori Kosova të jetë i zbatueshëm dhe në Shqipëri”, tha Caka për Albanian Post.

KQZ-ja nuk ka kompetenca të plota vendimmarrëse për mënyrën se si do të veprohet. Për të realizuar votimin jashtë qendrave të votimit do të kërkohej një ndryshim në kodin zgjedhor.

Kodi Zgjedhor Shqiptar nuk e njeh mundësinë e votimit jashtë qendrave të votimit.

“Në varësi të opsioneve që mund të ketë, në rastet e spitaleve mund të krijohen qendra votimi, kurse në rastet e tjera do t’i shohim të gjitha mundësitë, po nuk është se ka asnjë opsion”.

“Kodi zgjedhor nuk e lejon mundësinë që të votohet jashtë qendrave të votimit. Qoftë në qendra të votimit normale, qoftë në institucione të veçanta”, sqaroi Caka.

Momentalisht ka rreth 30 mijë qytetarë aktivë të infektuar. Shifrat e fundit të rasteve të reja janë vazhdimisht në rritje.

Me këtë trend rritës, deri më 25 prill, mbi të gjitha nëse nuk rritet dhe numri i personave të shëruar, rastet aktive mund të shkojnë edhe më shumë.

Rreth 30 mijë vota përkthehen përafërsisht në tre mandate. Duke llogaritur se 22 mijë prej tyre janë në Tiranë, kjo mund t`i shkaktojë një dëm njërës prej partive.

Mbetet për t`u parë vullneti i autoriteteve për të mundësuar votën e këtyre qytetarëve në pamundësi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore