Zgjedhjet në Shqipëri

KQZ certifikon zgjedhjet e 25 prillit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar rezultatin e zgjedhjeve, të cilat u mbajtën më 25 prill në 12 qarqe të Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, e cila u zhvillua të martën e 4 majit, u miratua rezultati edhe në 11 qarqet e tjera (Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Korçë, Shkodër, Berat dhe Lezhë). Më herët, ishte certifikuar rezultati në Qarkun e Kukësit.

Kështu, janë certifikuar zgjedhjet e 25 prillit dhe 140 deputetët fitues.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka pohuar se partitë politike kanë afat pesëditor për të bërë ankimimin në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) nëse kanë pretendime për rezultatin ose kanë kërkesa për rinumërim.

Në zgjedhjet parlamentare fituese doli Partia Socialiste me 74 mandate. Partia Demokratike ka arritur të sigurojë 59 mandate deputetësh. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka siguruar katër mandate.

Surpriza zgjedhore ka qenë Partia Social Demokrate, e cila siguroi tre mandate në rang kombëtar: dy në Shkodër dhe një në Qarkun e Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore