Shqipëria

KQZ: 140 milionë lekë, buxheti për partitë politike


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri, ka parashikuar fondin prej 140 milionë lekësh, si mbështetje financiare për partitë politike, për vitin 2021. Në përputhje me ligjin nr. 137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”.

Drejtoria e Buxhetit dhe e Financës në bashkëpunim me drejtoritë e tjera ka përgatitur dhe hartuar shpërndarjen e fondeve vjetore për partitë politike.

Në zbatim të nenit 15/2, pika 2, gërma ‘e’, të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, KQZ-ja, përcakton masën e fondit publik, që do u jepet në formë ndihme partive politike.

Ndërsa, neni 19, pika 2, përcakton rregullat, se si do të shpërndahen këto fonde për partitë politike.

70% e fondit do të shpërndahet në përputhje me numrin e deputetëve, të cilët kanë fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Që do të thotë, në bazë të përllogaritjes, Partia Socialiaste (PS) e Shqipërisë, me 74 vende të fituara në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, përfiton shumën prej 51 milionë e 982 mijë e 780 lekë.

Partia Demokratike (PD), me 43 vende të fituara në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, përfiton shumën prej 30 milionë e 206 mijë e 210 lekë. Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me 19 vende të fituara, përfiton 13 milionë e 346 mijë e 930 lekë. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), me 3 vende të fituara, përfiton 2 milionë e 107 mijë e 410 lekë. Partia Socialdemokrate (PSD) e Shqipërisë, me 1 vend të fituar, përfiton 702 mijë e 470 lekë.

20% e fondit, do të shpërndahet në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive politike parlamentare dhe partive politike. Të cilat kanë përfituar mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare.

PS-ja, PD-ja, LSI-ja, PDIU-ja dhe Lista e Barabartë (LIBRA), në bazë të përllogaritjes, përfitojnë 4 milionë e 666 mijë e 667 lekë.

10% e fondit, do të shpërndahet në bazë të përqindjes së fituar, ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Të cilat kanë fituar mbi 1%  të votave në shkallë vendi.

PS-ja, përfiton 6 milionë e 767 mijë e 600 lekë. PD-ja, përfiton 4 milionë e 39 mije lekë. LSI-ja, përfiton 1 milionë e 999 mijë e 200 lekë. PDIU-ja, përfiton 673 mijë e 400 lekë. LIBRA, përfiton 175 mijë lekë.

Buxheti i KQZ-së, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, për partitë politike, ka pasur një fond prej 600 milionë lekësh.

Më datë 2 shkurt 2021, pritet që KQZ-ja të mblidhet, dhe të votojë buxhetin për partitë politike, për zgjedhjet parlamentare, më 25 prill 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore