Shqipëria

KPK zbardh bilancin e 4 viteve punë, sa e kaluan Vetting-un në Shqipëri?


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) të premten e 15 prillit ka publikuar bilancin e vendimeve të marra që prej fillimit të nisjes së punës në shkurt të vitit 2018 e deri në fund të marsit 2022.

Që prej 2018-ës ka dhënë në total 513 vendime, ku nuk kanë kaluar vetting-un 117 gjyqtarë dhe 70 prokurorë.

“199 vendime për konfirmimin në detyrë të 103 gjyqtarëve, 84 prokurorëve, dy ish-inspektorë Kontrollit të Lartë të Drejtësisë/kandidat për Gjykatë Apeli, një inspektore e komanduar në Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe nëntë ndihmësve/këshilltarë ligjorë”, shkruhej në njoftimin e KPK-së.

Të shkarkuar nga detyra janë një inspektor në ILD dhe dy ndihmës ligjorë.

“78 vendime janë dhënë për ndërprerje të procesit për 48 gjyqtarë, 21 prokurorë, dy ish-inspektorë në KLD dhe shtatë ndihmësve ligjorë”, vijonte njoftimi.

Ndër të tjera ravijëzohej se tetë vendime kanë qenë për pushimin e procesit për tre gjyqtarë, një prokuror dhe katër ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë.

Sakaq, 35 vendime janë për përfundimin e procesit për 22 gjyqtarë, 11 prokurorë dhe një ish-kryeinspektor i KLD-së dhe ish-inspektori ILD-së.

Ndërsa dy vendime ishin për pezullimin nga detyra të dy prokurorëve.

Kujtojmë që Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të 10 shkurtit ka miratuar ndryshimet Kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të vetting-ut.

Me 118 vota pro, zero kundër dhe asnjë abstenim propozimet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut u miratuan nga deputetët e opozitës dhe mazhorancës.

Kjo erdhi pasi afati i KPK-së, i cili ishte pesë vite, ku do të shqyrtohej figura e afro 800 subjekteve nuk u arrit në kohë.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë qenë një zë i fortë lobues për votimin pro të ndryshimeve Kushtetuese.

Më datë 15 tetor 2021, Grupi Parlamentar i PS-së depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të vetting-ut.

Sakaq Këshilli i Legjislacionit, të premten e 21 janarit miratoi ndryshimet kushtetuese për sa i takon zgjatjes së mandatave të organeve të vetting-ut deri në fund të vitit 2024.

Përpara seancës së 10 shkurtit, opozita shprehu hapur votën pro, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e ka abstenuar procesin, duke votuar vetëm për reformën zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore